Aktualitet

Dosja me 648 kg drogë/ Super-aksioni 14 vite më parë! Dy të rinjëve nga Lazarati iu dalin gjurmët e gishtave

14 vite pas arrestimit të bujshëm të 2 oficerëve të policisë së Sarandës, Ylli Kapo dhe Gentian Baba dhe shpalljes në kërkim të Ermal Nikës e Pelivan Mehmetajt, detaje të reja janë bërë me dije lidhur me dosjen e 648 kilogram marijuhanë. Prokuroria e Sarandës ka zbuluar në pakot e kapura të drogës edhe disa të dhëna të tjera. Bëhet fjalë për gjurmët e gishtave edhe të dy personave të tjerë, që janë identifikuar si Alban dhe Gazmend Bashaj, të dy nga Lazarati.

Nga analizat e bëra në 13 korrik të këtij viti, 10 gjurmët e gishtave që u pikasën mbi thasë u zbulua se 5 prej tyre i përkisnin 30-vjeçarit Alban Bashaj nga Lazarati. Më pas në shtator mbi thasë u gjet edhe një gërmë “F”. Prokuroria lëshoi urdhër për të kryer një hetim daktiloskopik krahasues me shkrimin e dorës së Gazmend Bashajt, gërmë që u përputh plotësisht.

Më 5 gusht 2020, prokuroria e Sarandës caktoi ndaj Alban Bashajt nga Lazarati, masën së sigurisë “arrest ne Burg” në mungesë,  e cila u ekzekutua në Gjirokastër më 30 gusht 2020, ku në banesë iu gjetën edhe 10 rrënjë “cannabis sativa”. Ndërsa Gazmend Bashaj rezultoi se kishte vuajtur më parë dënimin për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.

“Ndodhur në këto kushte kjo gjykatë vlerëson se jemi përpara gjësë së gjykuar dhe për pasojë i dyshuari nuk mund të procedohet dhe të dënohet dy herë për të njëjtin fakt”, u shpreh Gjykata pasi Basha rezulton i dënuar me 5 vjet burg për te njëjtën çështje.  Për të çuar deri në fund çështjen, Gjykata e Sarandës i bashkoi atij edhe dënimin me 4 vjet e 5 muaj burg të Gjykatës së Apelit Korçë për trafikun e 42 kg marijuanë dhe përfundimisht u dënua me bashkim dënimesh me 5 vjet burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij është ende i lirë.

Por si u zhvillua operacioni?

Në vitin 2005, Prokuroria e Krimeve të Rënda (tanimë e shkrirë nga reforma në drejtësi) lëshoi udhër-arresti për dy efektivët e Policisë, Gentian Baba e Ylli Kapo dhe bashkëpunëtorët e tyre në trafik droge. Bashkëpunëtori i tyre Pelivan Mehmetaj dhe Ylli Kapo e Gentian Baba janë takuar në datë 14 korrik në 2006 në fshatin Borsh.

Mehmetaj u ka kërkuar efektivëve që të transportonin një sasi lënde narkotike nga fshati Derviçan i rrethit Gjirokastër deri në fshatin Piqeras të rrethit Sarandë, ku edhe janë takuar me Ermal Nikën. Mirëpo ‘puna’ nuk është çuar deri në fund, pasi janë prangosur nga Policia. 

Efektivët Kapo dhe Babaj u dënuan me nga 5 vjet e 4 muaj burgim,  ndërsa Mehmetaj me 6 vjet e 8 muaj burgim, të cilin po e kryen pas ekstradimit nga Italia në 2014. Ermal Nika është dënuar në mungesë me 5 vjet e 4 muaj.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button