Sport

“Futbolli mësoi të bashkëjetojë me pandeminë, por nuk u dorëzua”!

“Pas vetëm pak ditësh shtëpia e futbollit, stadiumi “Air Albania”, do të hapë dyert për të nisur fushatën vaksinuese të popullsisë. Zgjidhja për të na rikthyer në normalitet duket e afërt”

TIRANE – Edhe Liga Profesioniste e Futbollit, në mbyllje të sezonit sportiv, nëpërmjet një bilanci të arritjeve të futbollit Shqiptar, ka bërë një urim për Vitin e Ri 2021. Në fokusin e saj janë evidentuar 100-vjetori me titull i Tiranës, fitorja e Kupës dhe Superkupës nga Teuta, paraqitja dinjitoze dhe kalimi i turit të parë nga skuadrat shqiptare në kupat e Europës, bojkotin e futbollit, për pa mbyllur me ngritjen në piedestal dhe rigjallërimin e Vllaznisë, kryesuese të kampionatit në vijim.

“365 ditë sa të çuditshme aq dhe të paharrueshme. Do të mbahen mend për vështirësitë që kaluam, për emocionet e forta, 100 vjetorin titull të Tiranës, Europën suksesshme të klubeve shqiptare dhe rilindjen e Vllaznisë për titullin kampione dimri.

Futbolli mësoi të bashkëjetoj me pandeminë, me vështirësi dhe shëmtuar me stadiumet pa tifozë por sërish futbolli nuk u dorëzua.

Viti 2020 nisi vrullshëm me duelin mes Tiranës dhe Kukësit, duel që u ndërpre në Mars nga izolimi prej Covid 19. Rinisi në Qershor për t’u fituar nga bardheblutë që arritën të festojnë me titull shekullin e parë të krijimit. Kupën dhe Superkupën për Teutën që festoi gjithashtu 100 vjetorin e krijimit të klubit. Europa më pas i bëri krenar shqiptarët për kualifikimet historike. Tirana, Kukësi, Teuta dhe Laçi u kualifikuan për të mos u mjaftuar me pjesëmarrje.

Në shtator futbolli ndaloi sërish për një kauzë të drejtë. Bojkoti i përkohshëm për të fituar pak të drejta të merituara, që më tepër se të sotmes i shërbejnë te nesërmes. Premtimi për zgjidhje erdhi i vonuar, por erdhi dhe tani është momenti që Qeveria të mbajë premtimin.

Futbolli rinisi sërish në kushte pandemie, me protokoll sigurie, stadiume të mbyllura dhe sportdashësit të mbërthyer para ekranit. Vllaznia e bëri më të bukur këtë pjesë të parë të sezonit. Gola, pikë, emocione dhe në fund me shumë meritë titulli simbolik i kampiones së dimrit.

Në Janarin e vitit 2021, pas vetëm pak ditësh shtëpia e futbollit, stadiumi “Air Albania”, do të hapë dyert për të nisur fushatën vaksinuese të popullsisë. Zgjidhja për të na rikthyer në normalitet duket e afërt. Futbolli sërish do të kontribuoj fort për të. Deri atëherë dhe pse është shumë afër… Gëzuar!”,- shkruhet në urimin e Ligës Profesioniste të Futbollit.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button