Bota

Migrantët në Bosnje sërish mbesin nën qiellin e hapur

Kampi “Lipa” ishte një vendstrehim i përkohshëm, pasi kampi “Bira” në Bihaç u mbyll nga ana e autoriteteve në muajin shtator.

Rreth 700 migrantë dhe refugjatë nga kampi “Lipa”, rreth 30 kilometra nga Bihaqi, në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët do të duhej të transferoheshin me autobus në një lokacion tjetër, janë kthyer sërish në kamp, të mërkurën më 30 dhjetor.

“Migrantët do ta kalojnë këtë natë nën qiellin e hapur, në livadhin ku ishte kampi ‘Lipa’, sepse IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrantë) i hoqi të gjitha çadrat”, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri i Brendshëm në kantonin Una-Sana, Nermin Kljajiq.

Kampi “Lipa” ishte një vendstrehim i përkohshëm, pasi kampi “Bira” në Bihaç u mbyll nga ana e autoriteteve në muajin shtator.

Më 23 dhjetor, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) janë tërhequr nga kampi i përkohshëm i migrantëve Lipa dhe kanë ndërprerë ndihmën në këtë kamp.

Në të njëjtën ditë, një nga çadrat është përfshirë nga zjarri dhe pjesa më e madhe e kampit është shkatërruar.

Të martën, më 29 dhjetor njëmbëdhjetë autobusë u dërguan nga Sarajeva, për të transportuar migrantë nga kampi “Lipa”.

Ministri i Sigurisë i Bosnje dhe Hercegovinës Selmo Cikotiq tha më 29 dhjetor se migrantët dhe refugjatët nga kampi Lipa do të transferohen përkohësisht në vendin e një ish-strukture ushtarake në Bradina.

Sidoqoftë, autoritetet lokale nuk i lejuan ata të transferoheshin në kazermat dhe një pjesë e vendasve zhvilluan një protestë para kazermave, për këtë arsye 700 migrantë kaluan natën në autobusë.

Kryetari i Bashkisë së Konjicit, Osman Shatiq, i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet lokale në Konjic nuk ishin të informuara për këtë vendim dhe se ata nuk kishin kushte për të pritur migrantë.

Pas një nate të kaluar në autobusë, migrantët filluan të ktheheshin në “Lipa”. Shoferëve të autobusëve iu tha që të ktheheshin në shtëpi.

Në Bosnje ndodhen mijëra migrantë, kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button