Aktualitet

Mjekët nesër në protestë për Allkjan/ Dasho: Solidarizohuni

Sindikata e bluzave të bardha ka paralajmëruar se nesër do të protestojë në orën 10:00 para spitalit nr.1 në QSUT për shkarkimin e mjekut Ilir Allkja nga drejtori Enkelejd Joti.  Me anë të një njoftimi në Facebook, Erion Dasho bën me dije se qëllimi i protestës është kthimi i menjëhershëm në punë i mjekut Allkja.

“Sapo u njoftova për një protestë të sindikatës së bluzave të bardha nesër në datë 31.12.2020, ora 10.00 para spitalit Nr. 1 në QSUT! Protesta ka si motiv kërkesën për anullimin e urdhërit të klarinetistit të QSUT-së dhe kthimin e menjëhershëm në punë të Dr.Ilir Allkja.

Kolegët protestues mirëpresin solidarizimin nga bluza të bardha jashtë QSUT-së dhe qytetarët!”, shkroi Dasho.

Në dokumentin e firmosur nga Enkelejd Joti thuhet se Ilir Allkja u pushua për shkak të shkeljes së etikës në punë.

Prej fillimit të pandemisë, mjeku Allkja në jo pak raste është bërë zëri i dhjetra denoncimeve, për shkak të kushteve ku janë të detyruar të punojnë stafet mjekësore, ku në nisje të pandemisë mungonin dhe elementët bazë të mbrojtjes nga Covid 19.

Sipas vendimit të QSUT-së, çdo punonjës i këtij institucioni nuk duhet të bëjë në publik komente të papërshtatshme të tilla si vërejtje mbi politikën apo programe të Institucionit, deklarata apo opinone personale që mund të interpretohen su zyrtare, sulme kundër administratës apo punonjësve të tjerë të institucionit.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button