Bota

Si do e kalojë bota vitin e ri? Shtetrrethime dhe ndalim festimesh, fishekzjarrët s’do të lejohen

Me fillimin e numërimit mbrapsht deri në hyrjen zyrtare të ditës së parë të vitit 2021, shumë vende janë në pritje që të fillojnë të festojnë. Megjithatë kufizimet që janë vendosur si pasojë e pandemisë COVID-19 kanë penguar, në gati çdo vend, organizimin e festimeve të zakonshme.

Në Sidnei, Australi, grumbullimet gjatë natës së vitit të ri janë të ndaluara. Më shumë se një milionë qytetarë shohin zakonisht fishekzjarrët, teksa këtë vit vetëm personat afër qendrës së qytetit do të jenë në gjendje të dëshmojnë skenën festive.

Tokio ka ndaluar çdo festë apo event të ngjashëm, kurse kryeqyteti i Kinës nuk do të lejojë shfaqjet e zakonshme të fishekzjarrëve. E njëjta gjë do të shihet edhe në Moskë apo Berlin, ku çdo event është paralizuar për të parandaluar grumbullimet që mund të çojnë në shtim të rasteve me të infektuar.

Ndërkohë edhe Franca nuk do të organizojë asnjë festim, pasi do të qëndrojë në shtetrrethim të plotë deri më 31 janar. Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet që e ka të ndaluar plotësisht hedhjen e fishekzjarrëve gjatë natës së ndërrimit të viteve. Edhe në Rio de Zhanero, ku nata e Vitit të Ri është periudha më festive dhe më e famshme, nuk do të ketë festë.

Pandemia ka ndaluar festimet edhe në Shtetet e Bashkuara, ku në “Times Square” të New York-ut vetëm një numër i kufizuar personash do të lejohen të shikojnë fishekzjarrët.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button