Aktualitet

U largua nga qeveria ku nuk qe asnjë ditë ligjërisht Ministër, reagon Gent Cakaj

Gent Cakaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa në vendin e tij është emëruar Olta Xhaçka, e cila derimë tani mbante postin e Ministres së Mbrojtjes. Në një reagim në rrjetet sociale Cakaj thotë se dorëheqja e tij ka qenë e parevokueshme, dhe se angazhimi i tij për faktorin shqiptar në rajon do të vazhdojë edhe më tej.

“Nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim”, shkruan Cakaj në postimin e tij të lamtumirës. Cakaj, i cili më herët mbanye postin e këshilltarit pranë Ramës, nuk u dekretua asnjëherë si ministër nga ana e presidentit Meta, duke qenë Rama në fakt ligjërisht ministri i jashtëm i Shqipërisë.

Postimi i plotë i Cakajt:

Të nderuar qytetarë, Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime! 

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button