Aktualitet

Valbona, prej 5 ditësh në terr/Banorët frikësohen se do t’i kalojnë festat pa energji

Sot është dita e pestë që parku kombëtar i Valbonës vijon të jetë pa energji elektrike.

Mësohet se nga stuhitë e forta të dëborës janë rrëzuar shtyllat dhe janë dëmtuar linjat në rrjetin e brendshëm. Pa energji kanë mbetur edhe disa fshatra të thellë në njësinë administrative të Lekbibaj.

Temperaturat në këtë zonë janë mjaft të ulëta ndërsa trashësia e borës bën të pamundur çdo lëvizje.

Njoftohet se punonjësit e OSHEE kanë shkuar në zonë, por siç mësohet nuk kanë mundur të rikthejnë energjinë për shkak të motit të keq dhe terrenit të vështirë.

 Njoftimi i emergjencave civile i Prefekturës Kukës

“Nga informacionet e marra nga përgjegjësi i degës së OSHEE-së Tropojë, rrjeti i furnizimit me energji elektrike të Nj.Ad Margegaj dhe aktualisht rrjeti që furnizon Luginën e Valbonës ka pësuar defekte. 

Këto defekte kanë ardhur si rezultat i erës së fortë dhe sasisë së rënduar të reshjeve të shiut e borës ku në Valbonë shkon deri në 70-80 cm. Aktualisht po punohet nga një grup prej 12 punonjësish të OSHEE-së Tropojë për riparimin e defekteve në këtë rrjet dhe vendosjen e tij në gatishmëri.”

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button