Aktualitet

Andon Poci, fshati që po plaket, të rinjtë largohen për një jetë më të mirë.

16 kilometra larg nga qendra e qytetit të Gjirokastrës ndodhet fshati Andon Poçi.
Pjesë e njësisë admnistrative Odrie, ky fshat ka një pozitë të favorshme gjeografike e cila favorizon kulturat bujqësore prandaj dhe banorët i japin më shumë rëndësi këtij sektori.
Pak histori .
Fshati “Andon Poçi”, mban emrin e dëshmorit vllah të LANÇL dhe banohet nga vëllehët. Siç i thoshin dhe dikur Xacë-t që shtegtonin me bagëtitë dhe shtëpinë e kishin majë mushkave . Gjuha që banorët flasin njihet si vllahçe.
Banorët e parë në këtë vend janë vendosur aty rreth vitit 1957. Fillimisht ata nisën jetesën në çadra.
Ndërsa banesat e para me gurë u ndërtuan gjatë vitit 1960 .Ato ishin diku tek tre apo katër, të gjitha njëkatëshe .
Më 1964 fshati mori trajtën përfundimtare ku nisi të popullohej duke shtuar me kalimin e viteve familjet dhe shtëpitë që ende sot janë . Duhet theksuar se në këtë fshat zor se të gjen syri shtëpi të parregulluara , sot përkundrazi gjen vila të ndërtuara me gurë dhe dekorime të shumta , ku pavarësisht se është fshat ky bujqësia dhe blegtoria janë prioritet, rrugicat dhe sheshet janë të pastra .
Kjo pasi kafshët i mbajnë jashtë fshatit në vende të posaçme të bëra nga banorët.
Në fshat sot numërohen mbi 100 shtëpi por si për ironi të banuara janë rreth 50 prej tyre. Shtëpitë e bukura që dallohen nga larg ua zhvesh bukurinë dryni në çdo derë .
Fshati që synonte zhvillim dhe jetëgjatësi sot rrezikon ekzistencën. Si shumica e fshatrave të jugut që janë prekur nga pandemia e braktisjes edhe ky i fundit ka patur të njëjtin fat.
Të rinj e të reja të gjendur në udhëkryq për sa i përket një jete me kushte të mira duke mos e arritur në vendin e tyre janë larguar në shtete të ndryshme të botës.
Të moshuarit janë ata që dëshmojnë se ende ky fshat frymon.
Për mikrofonin e RTV Channel 7 ata tregojnë jetesën në fshat mes vështirësisve por dhe bukurisë e qetësisë që të ofron.
Ndonëse të moshuar , të dalë prej vitesh në pension ata kurrë nuk i janë larguar punës në bujqësi apo blegtori.
Kulturat që më së shumti banorët mbjellin janë lajthitë e rrush. Por shitja e tyre vazhdon të jetë problem pasi mungon tregu .
Largimi i të rinjve në emigrim për banorët është i dhimbshëm pasi askush nuk ka interes për të çfarë rrezikon ekzistencën e fshatit. Të gjendur para mundësive të kufizuara ata kanë zgjedhur të largohen për një punë dhe jetë me kushtet e duhura, për një të ardhme të mirë .
Veç mallit për brezin e ri banorët e Andon Pocit u duhet të përballojnë dhe mungesën e shërbimeve publike . Problem mbetet për ta energjia elektrike e cila ikën sapo të nis shiu . Lidhur me këtë ata thonë se janë ankuar por si dëgjon kush.
Në qendrën e fshatit ndodhet edhe kisha e cila mbledh të moshuarit jo vetëm në raste festash por edhe në përditshmëri. Afër me të ndodhet edhe qendra shëndetësore ku marrin trajtim banorët e zonës.
E rëndësishme për banorët është rivitalizimi i fshatit duke qenë një vend që ka të ndërthurrur elementet natyrorë e kulturor por edhe turistik. Investimet nga ana e qeverisë si dhe programet nxitëse për të rinjtë do të ishin thelbësore për zhvillimin e këtij fshati por mungesa e tyre ka sjellë këtë gjendje e cila nëse nuk merren masa do të jetë edhe më keq. Zbrazja e fshatrave është një fenomen i cili nuk po ndalohet dot përkundrazi vazhdon me ritme të shpejta .

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button