Sport

Atalanta turpëron Milanin, Interi ngec kundër Udineses

Milani mërzitet dhe buzëqesh, kur shikon që Interi i vendit të dytë mori vetëm një pikë në transfertë kundër Udinese. Kuqezinjtë mbeten në krye të klasifikimit, por zhgënjyen në shtëpi kundër Atalantës, pasi u mposhtën me rezultatin 0-3 dhe bënë një ndeshje jo të mirë.

Shkëndijat e para të Milanit, me Ibrahimovic e Meite ishin thjesht flakë kashte, pasi Atalanta mori në dorë lojën dhe arri të shënonte në minutën e 26-të me anë të Cristian Romero, i cili me kokë pranë portës nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë.

Kessie në fillim të pjesës së dytë shkaktoi penallti dhe Ilicic, spektakolar në fushën e lojës, realizoi nga pika e bardhë. I zakonshmi Zapata tenton me ccdo mënyrë të shënojë. Fillimisht e ndal shtylla, kurse në tentativën tjetër në të 77’ u konkretizua me gol. 0-3, në mes të “San Siros”, dhe Atalanta i vuri vulën kësaj ndeshjeje.

Në Udine, vendasit që kishin barazuar javën e shkuar me Atalantën, këtë herë ndalën një tjetër skuadër të fortë. Interi i Antonio Contes e dinte që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe ishte përgatitur për këtë, por në fund u pajtua me rezultatin 0-0.

Zikaltrit ishin më lart dhe shënuan në fillim me Lautaro Martinez, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Conte u mundua të ndryshonte diçka nga pankina, por Interi i tij, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ia doli do të shënonte në portën e Udinese dhe tani e sheh veten dy pikë larg kreut, që mbahet nga Milani.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button