Aktualitet

Dëshmia e të miturave:Familjarët u zunë natën e Vitit të Ri, donim t’ju jepnim një mësim

TIRANË– Dy të miturat që u larguan nga banesat e tyre ditë më parë kanë dhënë dëshminë e tyre në polici. Ato janë shprehur se janë larguar me dëshirë nga banesat pasi familjarët ziheshin shumë shpesh, madje zënkat kishin ndodhur dhe natën e Vitit të Ri. Vajzat kanë rrëfyer përballë policisë se me vete kishin 400 mijë lekë të cilat i kishin kursyer.

DËSHMIA

“Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve. Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetëra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”.

Të miturat do qëndrojnë në qendër sociale deri sa të qetësohet situata pasi kanë frikë nga dhuna e prindërve nëse do të shkojnë në shtëpi.

Lajmi për zhdukjen e tyre u dha tre ditë më parë, edhe pse të miturat ishin larguar nga banesa që më 1 janar. Para se të zhdukeshin, ato dolën nga banesa me pretekstin se po shkonin në shtëpitë e njëra-tjetrës për të uruar një vit të mbarë. Por me të dalë nga banesa, fikën telefonat dhe u zhdukën.

Me vete, dy të miturat kishin kartat e identitetit dhe një sasi parash. E ëma e njërës prej tyre, pretendonte se vajzat ishin mashtruar, ndërsa shtonte se e bija vuante nga astma dhe duhej që të kthehej për të marrë mjekimin e nevojshëm. Hetuesit kishin nisur punën për ‘gjurmimin’ e tabulateve të tyre telefonike, mirëpo nuk dihet nëse ka qënë ky ‘detaji’ që i ka rikthyer të miturat pranë familjes.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button