Politike

Dita Ndërkombëtare e Edukimit, Kërpaçi: LSI investim prioritar për të ardhmen e rinisë, jo si politika e pastrimit të parave të pista

Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit, dhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi thotë se pa financimin e duhur, nuk ka edukim cilësor. ”LSI ka marrë angazhimin që pas 25 Prillit të bëjë realitet buxhetimin e arsimit shqiptar në nivelin e 5% të PBB, si një domosdoshmëri për ta kthyer arsimin në investimin prioritar për të ardhmen më të mirë të rinisë dhe Shqipërisë”,-shkruan Kërpaçi në facebook. Thirrja e saj është që të reflektojmë të gjithë mbi gjendjen ku e ka lënë arsimin e brezit të ri shqiptar politika e konçesioneve dhe pastrimit të parave të pista.

Postimi i plotë

Është dita ndërkombëtare e Edukimit. Një edukim i mirë është premisë për punësim të mirëpaguar, për cilësi jetese dhe sukses në sfidat e të ardhmes. Një edukim i mirë i shërben individit në rrafshin personal, por edhe shtetit për të patur qytetarë të denjë për ta mbajtur atë në këmbë. Shqipëria ka mësuesit më të përkushtuar që i kanë dedikuar jetën edukimit të brezit të ri. Por në epokën e globalizimit dhe të sfidave madhore si pandemia, kjo nuk është e mjaftueshme. Tani më shumë se kurrë ne duhet të financojmë arsimin në nivelin e duhur.

Pa financimin e duhur, nuk ka edukim cilësor. Ndaj LSI ka marrë angazhimin që pas 25 Prillit të bëjë realitet buxhetimin e arsimit shqiptar në nivelin e 5% të PBB, si një domosdoshmëri për ta kthyer arsimin në investimin prioritar për të ardhmen më të mirë të rinisë dhe Shqipërisë. Kjo do të krijojë mundësinë që mësuesit të kenë mbështetjen e duhur financiare, me paga dinjitoze për të bërë punën dhe nxënesve, studentëve, t’u garantohen të gjitha kushtet për edukim bashkëkohor të lidhur me tregun e punëve të së nesërmes.

Për një Shqipëri që ecën me hapin e kohës, nuk duhet të ketë më investime për zbukurime ndërtesash, pa realizuar investimin më të rëndësishëm dhe më afatgjatë për kombin, atë të edukimit cilësor të brezit të ri. Në ditën botërore të edukimit, le të reflektojmë të gjithë mbi gjendjen ku e ka lënë arsimin e brezit të ri shqiptar politika e konçesioneve dhe pastrimit të parave të pista, me shpresën se mësimi që do marrim duke e parë objektivisht realitetin do të jetë ai i nevojës alarmante për ndryshim. Gëzuar dhe njëherë ditën botërore të edukimit të gjithë mësuesve të Shqipërisë, në punë apo në pension. Puna juaj së shpejti merr vlerësimin e duhur!

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button