Bota

Gati 100 milionë raste me koronavirus në të gjithë botën

Bota po i afrohet shifrës prej 100 milionë rastesh të diagnostikuara me koronavirus. Universiteti Johns Hopkins njoftoi sot se numri i të infektuarve i ka kaluar 98 milionë vetë dhe se COVID-i ka shkaktuar mbi 2 milionë vdekje.

“Për momentin, virusi ende e kontrollon lojën, por kemi futur dy lojtarë të mirë: vaksinën dhe stinën e pranverës që afron,” tha një zyrtare belge duke folur për situatën në vendin e saj.

Ekspertët shpresojnë se me ngrohjen e motit në hemisferën veriore, do të ulet vala e infeksioneve.

Belgjika ka afro 690,000 raste të konfirmuara dhe mbi 20,000 viktima nga COVID-i.

Autoritetet kineze kanë mbyllur pjesërisht një lagje në Hong Kong. Zyrtarët thonë se po testojnë çdo individ në lagjen Jordan në një nga zonat më të populluara të Hong Kongut. Deri tani në këtë territor janë regjistruar më pak se 10,000 raste.

Në Gjermani zyrtarët thanë të premten se megjithëse numri i viktimave kapërceu 50,000 vetë, ritmet e përhapjes së infeksionit janë në rënie.

Po të premten, vendet evropiane u tronditën nga njoftimi i kompanisë farmaceutike AstraZeneca se nuk do të arrinte të përmbushte premtimet për dërgimin e sasisë fillestare të vaksinave.

Kompania njoftoi përmes një deklarate se si rezultat i problemeve në sistemin e furnizimeve, nuk ka arritur të prodhojë ende sasinë e parashikuar.

Edhe kompanitë Pfizer dhe BioNTech kanë njoftuar vonesa në përmbushjen e dërgesave të premtuara gjë që po ngadalëson ritmet e vaksinimit.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden ka nënshkruar urdhra të rinj ekzekutivë për të ndihmuar amerikanët e goditur rëndë ekonomikisht nga pandemia.

Ndërkaq të premten, gjigandi i shitjeve me pakicë Walmart tha se po përgatitet të zgjerojë operacionet e tij për vaksinim. Walmarti ka një rrjet të gjerë farmacish përmes dyqaneve të tij në të gjithë vendin. Kjo kompani deri tani ka ofruar vaksinime për punonjësit e shëndetësisë në shtetet Nju Meksiko dhe Arkansa dhe planifikon t’i zgjerojë vaksinimet edhe në të paktën shtatë shtete të tjera.

Fushata e vaksinimeve në SHBA ka hasur në disa probleme përfshirë në infrastrukturën e shpërndarjes, dështime institucionale si dhe mungesa në furnizimet me vaksina duke anuluar planet për imunizim të shumë amerikanëve.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button