Aktualitet

I shpallur në kërkim për trafik narkotikësh, arrestohet 41 vjeçari në Librazhd

Policia e Librazhdit ka vënë në pranga një 41 vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit të koduar “Dragostunja”, pesë muaj më parë ishte arrestuar bashkëpuntori i 41 vjeçarit shtetasi me iniciale L.N. 43 vjeç.

Sipas policisë këta dy shtetas janë kapur duke transportuar 32 kg lëndë narkotike kanabis në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit jeshil.

Njoftimi i plotë:

Vijon operacioni “Dragostunja”.

Kapet dhe ndalohet 41-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimeve të Specializuara në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Elbasan,  në vijim të operacionit “Dragostunja” të finalizuar rreth 5 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i të cilit u arrestua një shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, kanë vijuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe ndaluar në Librazhd, shtetasin e shpallur në kërkim:

L.A., 41 vjeç, banues në Pogradec.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në datën 06.08.2020, në bashkëpunim me shtetasin L. N., 43 vjeç (i arrestuar gjatë operacionit), dyshohet se kanë qenë duke transportuar 32 kg lëndë narkotike kanabis në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit jeshil.

Drejtuesi i automjetit shtetasi L. A. nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Më pas këta shtetas kanë braktisur mjetin bashkë me lëndën narkotike dhe kanë tentuar të largohen.

Shtetasi L. N. është kapur gjatë operacionit të zhvilluar 5 muaj më parë, në dalje të PKK Qafë Thanë, në tentativë për t’u larguar drejt Maqedonisë së Veriut.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button