Bota

Italia e goditur nga virusi, mbërthehet edhe nga kriza politike

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka më shumë se sa duhet në pjatën e tij, ndërsa merret me një pandemi të tërbuar të koronavirusit, por gjithashtu edhe me sfidën e menjëhershme të qëndrimit në detyrë.

Pavarësisht një numri të lartë të vdekjeve në Covid-19 dhe me një afat të afërt për të dalë me një plan të besueshëm për të shpenzuar miliarda euro nga fondet e rimëkëmbjes së BE, qeveria është konsumuar për javë të tëra nga sulmet përbrenda nga  ish-kryeministri Matteo Renzi.

Renzi ka kërcënuar të tërheqë partinë e tij të vogël, por kryesore “Italia Viva” nga koalicioni i qendrës së majtë që kryeson Conte, që do ta shkaktonte kolaps.

“Situata është në aspektin teknik, një katastrofë,” tha politikani, i cili udhëhoqi Italinë nga 2014 në 2016, në një intervistë me kanalin Rete 4 të transmetuar të hënën vonë.

I pyetur rreth shanseve që Conte të mbajë postin, ai tha: “Do ta shohim”.

Renzi është ankuar për përparim të ngadaltë në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit dhe vonesa në rihapjen e shkollave dhe ka akuzuar Conte se po përpiqet të përqendrojë pushtetin në duart e tij.

Kjo përfshin përcaktimin e prioriteteve në shpenzimet pa konsultë të mjaftueshme, të 196 miliardë eurove  (ose 240 miliardë dollarëve) që Italia pret të marrë si pjesë e një plani të rimëkëmbjes post-virus të BE, i cili pritet të dorëzohet në Bruksel nga mesi i prillit.

Italia ka regjistruar më shumë se 75,000 vdekje nga koronavirusi, numri më i lartë në Evropë dhe bllokimet dhe kufizimet shoqëruese e kanë goditur rëndë ekonominë.

Drafti i planit të shpenzimeve që ka rrjedhur në publik, përfshin më shumë se 50 prioritete, ku vetëm nëntë miliardë euro janë për sistemin shëndetësor të Italisë.

“Kjo nuk mund të funksionojë, ka shumë para për reklama dhe shumë pak për investime,” tha Renzi.

Përballja me Conte pritet të ndodhë në ditët në vijim, kur ministrat takohen ndoshta që të mërkurën për të diskutuar planet e BE.

Qeveria pa Conte

Conte mund të përpiqet ta qetësojë Renzi me një riorganizim të kabinetit, ose duke bindur disa ministra të tërhiqen ose duke dhënë dorëheqjen vetë për të kërkuar një mandat të ri nga Presidenti Sergio Mattarella me një listë të rishikuar të ministrave të kabinetit.

Por ky opsion është, sigurisht, i mbushur me rreziqe.

Sapo Conte të japë dorëheqjen, Renzi mund të këmbëngulë që koalicioni qeverisës – që përfshin Lëvizjen Populiste Pesë Yjet (M5S), Partinë Demokratike të qendrës së majtë (PD) dhe të majtët e Liri dhe Barazi (LeU) – mund të mbijetojë vetëm nën një kryeministër të ri.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë kandidat tjetër të dukshëm. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi përmendet shpesh si një shpëtimtar i mundshëm për vendin, por ai nuk ka treguar oreks për një karrierë politike, të paktën në publik.

“Personalisht, unë mendoj se një qeveri pa Kryeministrin Giuseppe Conte do të ishte marrëzi,” shkroi në Twitter, Federico D’Inca, një ministër dhe anëtar i Lëvizjes 5 Yjet, partia më e madhe në parlament.

Nëse Conte rrëzohet dhe politikanët nuk mund të bien dakord për një pasardhës, Mattarella mund të detyrohet të thërrasë zgjedhje të parakohshme – dy vjet më herët.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button