Bota

Kriza në Itali/ Dorëhiqet Kryeministri Conte: Tani është momenti i të vërtetës

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka dhënë dorëheqjen këtë të martë. Ai ka deklaruar ndër të tjera kur njoftoi dorëheqjen se tani do të kuptohet nëse ka qenë ai shkaku i krizës së fundit në Itali.

Në orën 9 të mëngjesit, Conte kryesoi mbledhjen e fundit të këshillit të ministrave ku dhe i bëri të ditur atyre se do të japë dorëheqjen.

Pritet qe Conte të takojë Presidentin Mattarella, me këtë të fundit që do të hapë dhe bisedimet për formimin e qeverisë së re, të cilat mund të fillojnë që sot.

“Tani është momenti i të vërtetës. Tani do të kuptojmë çfarë ishte pas asaj që shkaktoi dorëheqjen e ministrave të Italia Viva,” u shpreh Conte.

Ish-Kryeministri Matteo Renzi u tërhoq në 13 janar 2021 nga koalicioni qeveritar italian duke e zhytur vendin në krizë. Ai njoftoi dorëheqjen e ministrave Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti, të cilët kanë përgjegjësi përkatësisht për bujqësinë dhe familjen, si dhe nënsekretarin për punët e jashtme Ivan Scalfarotto, në një konferencë shtypi, duke i hequr kështu mbështetjen Kryeministrit Giuseppe Conte.

Pavarësisht tërheqjeve të ministrave të Renzi-t, Kryeministri Conte i kishte votat e senatit për të vazhduar më tej, por ai zgjodhi të japë dorëheqjen për të kërkuar përsëri votëbesimin e popullit.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button