Bota

Nisin hetimet për vdekjen e mjekut që mori vaksinën kundër koronavirusit

Një mjek amerikan ka humbur jetën disa javë pasi mori dozën e parë të vaksinën kundër koronavirusit, duke shtyrë ekzaminuesit mjekësor që të nisin hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në Majami, SHBA, ku mjeku Gregory Michael ndërroi jetë, dy javë pasi mori vaksinën e Pfizer / BioNTech. Drejtori operacional i Ekzaminuesit Mjekësor, David Caprara, tha se vdekja po hetohet në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësisë në Florida dhe Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar se shkaku i vdekjes ka qenë vaksina, Caprara tha se ajo është një prej mundësive të cilat po merren parasysh dhe po ekzaminohen. Edhe CDC konfirmoi se kishte marrë njoftim për rastin.

Michael ishte 56 vjeç dhe në regjistrat publikë thuhet se ka punuar për 15 vitet e fundit si obstetër gjinekolog në Qendrën Mjekësore “Mali Sinai” në Majami. Caprara tha se Michael e kishte marrë vaksinën më 19 dhjetor dhe vdiq mbrëmjen mes 3 dhe 4 janarit. Të martën, u krye edhe autopsia, por ende nuk ka dalë përfundimisht shkaku i vdekjes.

Ngjarjen po e heton edhe kompania Pfizer, siç tha në një deklaratë. “Nuk besojmë se ka lidhje direkte me vaksinën”, thuhet në deklaratë. “Nuk ka pasur asnjë të dhënë gjatë testeve klinike ose gjatë administrimit të deritanishëm me vaksinën “mRNA”. Miliona vetë janë vaksinuar dhe po monitorojmë nga afër të gjithë individët që marrin vaksinën tonë. Është e rëndësishme të theksojmë se ngjarje të tilla të pafavorshme, si vdekje që nuk kanë lidhje me vaksinën, do të ndodhin në të njëjtin raport si në popullatën e përgjithshme”.

Të mërkurën, CDC raportoi se deri tani, më shumë se 5,3 milionë persona janë vaksinuar në SHBA, por ka pasur vetëm 29 raste me reaksion të rëndë alergjik.

Marrja e vaksinës kundër koronavirusit është një prej temave më të debatuara në javët dhe muajit e fundit, që kanë shoqëruar pandeminë, shpesh edhe me teori konspirative.

Javën e kaluar, një punonjëse shëndetësie në Portugali humbi jetën pasi kishte marrë gjithashtu dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, por autoritetet atje nuk kanë konfirmuar ende nëse vdekja e saj ka lidhje me vaksinën.

Më 5 janar, Agjencia Mjekësore e Norvegjisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konfirmuan se dy të moshuar kishin humbur jetën në një azil, pasi u ishte dhënë doza e parë e vaksinës, ngjarje për të cilën gjithashtu po hetohet. “Të parët që po vaksinohen në Norvegji janë të moshuarit në azile. Do të ketë edhe raste vdekjesh për shkaqe natyrore, të cilat jo domosdoshmërish janë të lidhura me vaksinën. Në azilet norvegjeze vdesin mesatarisht 400 të moshuar në javë”, thuhet në një deklaratë të Agjencia Mjekësore të Norvegjisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Raste të ngjashme të të moshuarve që kanë humbur jetën pasi kishin marrë dozën e parë të vaksinës janë raportuar edhe në Zvicër, Izrael dhe Itali, por në asnjë rast nuk është konfirmuar lidhja e drejtpërdrejtë mes vaksinës dhe vdekjes.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button