Bota

Ritchie Torres zëvëndëson kongresmenin Eliot Engel, Ministrja Haradinaj: Miqtë e Kosovës po shtohen

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka uruar për detyrën e re kongresmenin Ritiche Torres, i cili do të zëvendësojë kongresmenin Eliot Engel, që u largua pas 32 viteve nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj shkruan se Torres pajtohet që drejtësia duhet të kërkohet dhe sigurohet për të gjitha viktimat e luftës gjenocidale e të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, përfshirë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, raporton arbresh.info
Postimi i plotë:
MIQTË E KOSOVËS NË AMERIKË PO SHTOHEN. Përderisa Kosova e falënderon përzemërisht Kongresmenin Amerikan Eliot Engel për miqësinë dhe mbrojtjen e fuqishme të të drejtave dhe aspiratës sonë për Kosovë të lirë, sovrane dhe të pavarur – që sot po përfundon punën e tij 32 vjeçare në Kongresin amerikan, njëkohësisht urojmë për detyrën e re që do të marrë ditën e sotme, kongresmenin z. Ritchie Torres.
Kisha nderin që verën e kaluar të takohem me kongresmenin Torres, përfaqësues i distriktit kongresional të 15-të (The Bronx), New York, në Dhomën e Përfaqësuesve.
Z. Torres pajtohet që drejtësia duhet të kërkohet dhe sigurohet për të gjitha viktimat e luftës gjenocidale e të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, përfshirë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për vëllezërit Bytyqi, që si shtetas Amerikan u ekzekutuan si pengje të luftës nga forcat paramilitare të Serbisë.
Bashkëbisedimi me të për rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në politikën amerikane, si dhe për inkurajimin e madh e lidhjen e fortë me aktivistin e shquar të çështjes sonë kombëtare z.Harry Bajraktari, janë shpresë e madhe se miqtë e Kosovës në Amerikë nuk do të zvogëlohen asnjëherë, ashtu siç duan e shpresojnë kundërshtarët e Kosovës.
Përkundrazi! Miqësia jonë përditë po forcohet e thellohet”, shkruan ministrja.
Eliot Engel u largua nga Kongresi në SHBA, pas 32 vjetëve karrierë. Ai njihet si miku më i mirë i shqiptarëve për vetë rolin e tij vendimtar për Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, bombardimet e NATO-s ndaj serbëve dhe parandalimin e një genocidi në masë. Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button