Sport

“Tërmet” në pankinën e Çelsit, drejtuesit “blu” të Londrës i japin kohë trajnerit Lampard

ANGLI – Humbja 2-0 e pësuar para dy ditësh, në transfertën ndaj Leister Sitit në “King Power”, ka krijuar lëkundje të mëdha në pankinën e Frenk Lampardit në krye të “bluve” të Londrës. Madje në ishull po flitet gjithmonë e më shumë mbi një shkarkim të mundshëm të 42-vjeçarit nga drejtimi i Çelsit.

Disfata me “dhelprat” ishte e pesta në tetë sfidat e fundit të Premier League, duke bërë që aktualisht, Çelsi të renditet në vendin e tetë me 29 pikët e grumbulluara. Ndërkohë, që sezonin e shkuar, blutë e Londrës kishin grumbulluar 32 pikë, me 10 fitore 2 barazime e 7 humbje.

Drejtuesit besojnë se Frenk Lampard është në gjendje për ta kthyer ekipin përsëri në rrugën e duhur dhe në njëfarë mënyre krerët e klubit londinez duan të ndjekin shembujt e Mançester Junajtid apo Arsenal, që iu dhanë kohën e mjaftueshme dhe besimin e duhur trajnerëve të tyre Ole Gunar Solskjaer dhe Mikel Arteta.

Në krahun tjetër po në ishull Sky Sports raporton se nëse rezultatet nuk përmirësohen drejtuesit do të detyrohen ta shkarkojnë ish-mesfushorin e famshëm. Shtypi britanik ka lakuar emrin e Julian Nagelsman, si një zëvendësues të mundshëm të Lampard, megjithëse tabloidët anglezë përmendin edhe ish-trajnerin e Paris SG, Thomas Tuchel.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button