Aktualitet

U zhduk bashkë me shoqen pas Vitit të Ri, nëna e 16-vjeçares ngre alarmin: Dyshoj se i kanë trafikuar, është e sëmurë dhe ka nevojë për ilaçe

TIRANË– Nëna e një prej vajzave të zhdukura që prej 1 janarit dyshon se e bija me inicialet K.M., dhe mikja e saj mund të jenë mashtruar, rrëmbyer e trafikuar.

Ajo ka kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzës së saj teksa duke qarë shton se e bija është e sëmurë, vuan nga astma dhe që prej ditës që është zhdukur nuk ka marrë medikamentet e nevojshme.

Me shpresën se vajza mund ta dëgjojë, nëna i bën thirrje dhe i thotë që të paktën t’i hapë telefonin e t’i thotë që është gjallë.

“Vajza ime nuk ikën nga shtëpia. Dyshoj se mund të jetë rrëmbyer dhe trafikuar. Në këto momente ku nuk të shkon mendja. Ju lutem kujtdo që mund t’i ketë parë të na lajmërojë ne ose policinë, më ndihmoni të gjej vajzën. Nga kontrollet që kemi bërë në banesë kemi vënë re se mungon karta e identitetit. Kam frikë se e kanë gënjyer bashkë me shoqen dhe mund  t’i kenë trafikuar. Ata ishin shoqe që nga 9-vjeçarja dhe shtëpitë tona nuk janë larg. I bëj thirrje kujtdo të më ndihmojë ta gjejë. I bëj thirrje që nëse më dëgjon të lutem të hapë telefonin dhe të më thotë se është gjallë. Ajo është e sëmurë me astmë, dhe që prej 1 janarit nuk i ka marrë mjekimet e saj,”- tha e shqetësuar ndër të tjera.

16-vjeçarja me inicialet K.M., dhe shoqja e saj bashkëmoshatare me inicialet M.H., janë zhdukur që nga 1 janari. Të dyja kanë deklaruar se po shkonin në shtëpitë respektive të njëra-tjetrës për të uruar festat por që nga ai moment telefonat e të dyjave rezultojnë të fikur. Vajzat kanë marrë edhe kartat e identtitetit bashkë me një shumë parash me vete.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button