Politike

Vasili: Mbyllja e syve do të bëjë që duartrokitjet për drejtësinë e re të kthehen në shuplaka

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka dalë me një deklaratë për mediat gjatë mesditës së sotme.

“Sot, tha në deklaraten e tij Vasili, jemi përpara disa fakteve të tmerrshme, fakteve që ulërijnë e për të cilat drejtësia e re nuk lëviz gishtin para pak ditësh është denoncuar një aferë e tmerrshme, ku paratë e qeverisë trajtohen si para xhepi të saj dhe ku qeveria nuk sillet si administratore, por si grabitqare”.

E plotë:

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI

“Të gjithë ju keni pritur me padurim që e ashtuquajtura drejtësi e re, të ishte një dorë e fortë, një goditëse shumë e fortë dhe e pamëshirshme në zbatim të ligjit ndaj gjithë veprave më të rënda penale, korrupsionit dhe gjithçka që shfaqet në shoqërinë shqiptare dhe që ka shkaktar dhe fajtor qeverinë, duke dëgjuar duartrokitje të shumta për të ashtuquajturën drejtësinë e re nga qeveria, por edhe nga mjaft diplomatë të huaj lidhur me të.

Por sot jemi përpara disa fakteve të tmerrshme, fakteve që ulërijnë e për të cilat drejtësia e re nuk lëviz gishtin para pak ditësh është denoncuar një aferë e tmerrshme, ku paratë e qeverisë trajtohen si para xhepi të saj dhe ku qeveria nuk sillet si administratore, por si grabitqare. Ku ajo merr paratë nga një projekt i caktuar, i kalon si i do qejfi nga një krah tjetër, merr kredi dhe hua, pavarësisht se është një Shqipëri me probleme shumë të rënda pas tërmetit dhe pas pandemisë dhe qetësisht i kalon nga një rrugë te tjetra. Ja heq popullit të Selenicës, i çon në Vlorë dhe sillet me to sikur të jenë paratë e xhepit. Shkel ligj dhe Kushtetutë ditën për diell. Të denoncuara këto qartësisht nga Presidenti i Republikës, e kushdo shqiptar priste që përgjegjësit e këtyre shkeljeve të tmerrshme të ligjit, të ishin para drejtësisë. Asgjë nuk ka ndodhur. Nuk lëviz as gishtin SPAK, ndërkohë që këto fakte i dinë të gjithë shqiptarët.

Pak kohë më parë, 140 milion në total humbiste Shqipëria në arbitrazh me një biznesmen italian, me biznesmenin Becheti. Sot me 45 milion dollarë të tjerë dënohet sërish Shqipëria. Këto miliona dollarë, që do të dinin e tepronin për të trajtuar me paketa ndihme për pandeminë bizneset, për të blerë vaksina, për të blerë testime, për të blerë të gjitha mjetet mbrojtëse që mjekët të mos vdesin, venë dëm, ndërkohë që përgjegjësve nuk u hyn gjemb në këmbë.

Ndërkohë të nderuar qytetarë duhet të dini që llogaritë e Shqipërisë po bllokohen jashtë vendit. Euro Control ka bllokuar llogaritë  e Shqipërisë që financon agjencinë e kontrollit ajror të Shqipërisë.

Fajtor për këtë janë nga kryeministri, i cili përmendet qartësisht në vendimin e arbitrazhit e deri më poshtë me dhjetëra ministra e zyrtarë të tjerë. Asnjë fajtor nuk është përpara drejtësisë, as edhe një i vetëm. Ndërkohë vazhdojnë e pasojnë të tjera.

Arbitrazhet, ky Pazar i ri i qeverisë, pra humbje me dëshirë që t’u japë para nga ato paratë e shqiptarëve dhe të përfitojë diçka vetë, sepse këta kanë parimin që të përfitojnë, të bëjnë dëmin, të ikin dhe këtë dëm, këtë hall ta paguajnë shqiptarët nga i pari deri tek i fundit. Sepse paratë e shqiptarëve shpenzohen, por ama asnjë të paditur, asnjë fajtor nuk ka.

Çfarë prek ky SPAK-u i famshëm kur faktet ulërasin? Llogaritë e Shqipërisë po bllokohen nga EUROPOL-i në Austri e gjetkë në të gjitha anët, faktet buçasin. Boll SPAK u more me korrupsionin 20-30 mijë lekësh. Boll mbylle edhe përpara krimit zgjedhor, ku e hodhe si top ping-pongu dosjen 184 për të mos mbajtur qëndrim ndaj kryeministrit, ministrave, deputetëve, drejtorëve e të gjithëve me radhë. Janë njëra vepër më e madhe sesa tjetra.”

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button