Aktualitet

Vendos Kuvendi i Kosovës: FSK mund të shkojë në misione paqeruajtëse jashtë vendit

Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar Propozim-Vendimin e Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Të gjitha grupet parlamentare fillimisht u shprehen pro këtij vendimi, teksa kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të rrisë buxhetin dhe përkrahjen për FSK-në.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se vendimi për të dërguar FSK-në në misione paqeruajtëse jashtë vendit konfirmon besimin që kanë aleatët ndaj Kosovës.

“Përtej simbolikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së na bën krenar edhe për faktin se ai do të bëhet në bashkëpunim të plotë me Gardën e Ajowas që ka dhënë mbështetje të madhe për ne”.

Hoti tha se ky mision tregon se Republika e Kosovës merr përgjegjësinë për paqen globale në botë.
“Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqeruajtëse. E kemi provuar këtë para dy dekadave…Me këtë vendim ne sot renditemi krahë partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë”, ka deklaruar më tej Avdullah Hoti.

Vendimi mbështetet në memorandumin që Kosova e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Iowa-s.

Paraprakisht Kryesia e Kuvendit ka autorizuar Komisionin funksional për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, për shqyrtimin paraprak të këtij propozim-vendimi.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button