Politike

Heqja e banerave të LSI/ Meta: Kujdes, mos bini pre e provokimeve të Rilindjes

Me tone të ashpra, Presidenti Ilir Meta ka dalë sërish në një konferencë të jashtëzakonshme, ku ju ka bërë thirrje fierakëve, por edhe gjithë shqiptarëve, të mprehin sfurqet e sëpatat për 25 prillin, nëse preken votat.

Duke u ndalur tek incidenti i ndodhur sot në Fier, ku policia hoqi banderolat e LSI, pasi ishin vënë në vendin ku do të zhvillohej takimi përmbyllës i PS, Meta i bëri thirrje kandidates së LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe kolegëve të tjerë, që të ruajnë qetësinë, pasi sipas Kreut të Shtetit, ky është një provokim nga Rilindja.

‘Ftoj kandidaten e LSI, Kejdi Mehmetaj, dhe të gjithë kandidatët e tjerë të mos bien e këtij provokimi të bandës Rilindje, të thellohen pak. Ky është një incident i turpshëm dhe banal, por edhe një provokim Kejdi, që ju gjoja të prishni mitingun që do bëjë Rilindja sot në Fier.

Këtë duhet ta kuptosh qartë dhe nuk është kjo beteja juaj për të mbrojtur banderolat e LSI, se kryetari i Bashkisë Fieri do shkojë në burg për shkelje shumë të rënda që ka bërë, jo thjesht për këto shkelje të Kodit Zgjedhor. Komuniko me z.Ruci, meqë mbulon qarkun e Fierit, nëse vërtetë banderolat e tua shqetësojnë Rilindjen dhe kryerilindasin, hiqni banderolat tuaja derisa të mbarojë mitingu dhe pastaj vërini prapë, se nuk është ky problemi i madh që ka Fieri.

I di Fieri të gjitha historitë e kryebashkiakut dhe rilindasve të tjerë, e do t’i ndëshkojë me votë plebishitare. Meqë pas dy orësh do iki në Vlorë, Kejdi më bëj një nder, i thuaj z. Ruci, që jo vetëm i hoqën ato banderola, na ka thënë Presidenti që t’i japin edhe ca postera kryerilindasit, se do vij dhe vetë t’ia vë, që të kënaqet ai dhe të shtohet edhe më tej urrejtja për këtë provokator të ndyrë, që kërkon të prishë zgjedhjet ditën e diel.

U bëni thirrje gjithë grave e burrave të Fierit e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat, t’i kenë gati ditën e diel e po u prek një votë e vetme, ashtu do bëjë gjithë Shqipëria, me në krye Presidentin’, tha Meta.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button