Politike

INTERVISTA E PLOTE/ Becchetti: Rama duhet të paguajë 150 milionë euro, plus 50 të tjera

Intervistoi: Juli Krisafi

Pyetje: Mirëmbrëma Z. Becchetti, pyetja ime e parë për ju është: pse vendosët të flisnit pikërisht në këtë moment?

Përgjigje: Mirë se ju gjeta Znj.Krisafi!

E pranova ftesën Tuaj sepse siç dihet nga të gjithë, para pak ditesh është publikuar Vendimi i Komitetit ad hoc i Gjykatës ICSID, i cili hedh poshtë tërësisht kërkesën e Qeverisë Shqiptare në lidhje me anullimin e Vendimit ICSID të datës 24 prill 2019, i cili përcakton përfundimisht që ndaj meje dhe grupit tim u ndërmor nga ana e Qeverisë Shqiptare një fushatë e paligjshme me sfond politik.

Pyetje: Publiku shqiptar në fakt, këto 6 vite ka dëgjuar deklaratat e KM Rama dhe ndonjë analizë sporadike të atyre që e njohin çështjen pak ose e njohin atë keq, ju përse keni heshtur gjatë gjithë këtyre viteve?

Përgjigje: Shikoni, për të respektuar faktin që gjykatat ndërkombëtare po vendosnin mbi provat dhe po jepnin vendimin e ndjeva si detyrë të qëndroja në heshtje ndaj një procedimi kaq të rëndësishëm.

Vendimi i Gjykatës ICSID përfundimtar, i sapokonfirmuar nga komiteti i anulimit, flet në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje. Në fakt Gjykata ICSID e përbërë nga tre arbitra të shquar në nivel botëror, në unanimitet, përfshirë votën në favor të arbitrit të emëruar nga Shqipëria, Ian Glick, vendosën që Qeveria ndërmori një fushatë politike kundra meje dhe kundër grupit tim, e realizuar nëpërmjet shpërdorimit  të  fuqisë së policisë.

Gjithashtu, vendimi përcaktoi një dëmshpërblim që Qeveria Shqiptare duhet  të paguajë ndaj nesh, që janë rreth 120 milionë euro.

Pyetje: Pra siç është thënë gjithmonë, ka një dëmshpërblim prej rreth 110 milion eurosh?

Përgjigje: Vendimi përmban një dëmshpërblim prej 100 milionë euro ndaj paditësve plus Shpenzimet e arbitrazhit, shpenzimet ligjore, interesat lidhur me arbitrazhin dhe proceduren e anullimit, kapin shifrën gjithsej deri më sot prej 120 milionë euro, siç i është kërkuar nga avokatët tanë më 6 prill 2021 Qeverisë shqiptare me një kërkesë shkresë zyrtare.

Gjithashtu, një implikim logjik i vendimit shihet në paragrafin 866 të tij ku identifikon dëme për një vlerë prej afërsisht 30 milionë euro për shoqërinë shqiptare FUQI e cila është aksionere 20% e Agon Channel.

Qeveria duhet të paguajë domosdoshmërisht edhe këto 30 milionë euro dhe për këtë shoqëria Fuqi tashmë ka paraqitur kërkesën zyrtare Qeverisë me Notën e datës 27 maj 2019.

Deri më sot Qeveria Rama duhet të paguajë 150 milionë euro.

Pyetje: A e keni ndjekur ju Shqipërinë e këtyre ditëve, zhurmën, hamendësimet, çfarë ndjesie keni marrë? Si ndiheni ju pas gjithë këtyrë që keni dëgjuar?

Përgjigje: Po e kam ndjekur dhe më duhet të them që Kryeministri vazhdon të shkelë parimet baze të ligjit

Përsa i përket  deklaratave të Kryetarit të Bashkisë Veliaj në programin e Fevziut në TV Klan, nëse më kujtohet mirë, Veliaj ka qenë dikur avokat. Atëherë i këshilloj që ta lexojë me vëmendje vendimin që të mos vazhdojë më të thotë dokrra

Pyetje: Kryeministri në një intervistë të disa ditëve më parë ka qënë i sigurtë kur tha se ju nuk do t’i merrni paratë e dëmshpërblimit të caktuar me Vendimin e formës së pretë të gjykatës së arbitrazhit dhe përdori termin “Kurrë”, si e shihni ju këtë thënie?

Përgjigje: Në bazë të neneve 53 dhe 54 të Konventës ICSID Qeveria Shqiptare duhet  t’i bindet vendimit që është përfundimtar, i detyrueshëm dhe që duhet të zbatohet  si një vendim i formës së prerë i gjykatave shqiptare

Para vendimit të Komitetit  të anullimit Qeveria Shqiptare ka konfirmuar shprehimisht angazhimin për të paguar nëse Komiteti i anullimit do të refuzonte kërkesën.

Konfirmimi u shkruajt nga avokatët amerikanë të Shqipërisë dhe u nënshkrua si marrëveshje zyrtare nga ana e Avokaturës së Shtetit si përfaqësuese e Qeverisë Shqiptare. Pra…

Jemi akoma këtu. Shkelja e së drejtës ndërkombëtare nga ana e Qeverisë Rama vazhdon por duhet të kenë kujdes sepse mospagimi i një vendimi ICSID lidhur me shpronësimin, në bazë të  Operation Manual (Manuali i Operimit)dhe në veçanti të pikave O.P. 7.40 dhe B. 7, 4, 0, do të përcaktonte pamundësinë për Bankën Botërore për të rinovimin e huasë  për Shqipërinë sikurse dhe pamundësinë  për të marrë hua të reja dhe kjo nuk vlen vetëm për  Bankën Botërore, por vlen edhe  për BERZH dhe për BEI.

Sigurisht një veprim i tillë do të thotë default, paaftësi paguese financiare të Shqipërisë dhe një rritje shumë të lartë në këtë kontekst të dëmeve që Shqipëria do të ishte e detyruar të paguajë.

Pyetje: Në fakt, gjithë ngjarjert e AGON Channel shpesh janë lidhur me opinione ekstreme ndaj jush që përfunduan me termin “marifetçi” që kryeministrit shqiptar përdori për ju, pra adresuar juve. Si e keni përballuar këtë tërësi përcaktimesh të politikës dhe medias shqiptare gjatë gjithë këtyre 6 viteve?

Përgjigje: Përgjigjen përfundimtare se kush  jam unë dhe kush është Kryeministri Rama dhe strukturat e tij qeveritare e dha në formë të prerë vendimi i arbitrazhit ICSID që vendos ndërmjet palëve

Vendimi në fakt  ka konfirmuar ndër të tjera në  paragrafin 718 që difektet  e fakteve të identifikuara nga ne paditësit ofrojnë  baza të mëtejshme, baza të mëtejshme për të konkluduar që motivimet e Shqipërisë nuk ishin në mirëbesim në interesin publik. Ndërsa paragrafi 724 B vendimi paraqet që një  përfaqësues  i qeverisë dhe më saktësisht Sekretari  i Përgjithshëm i Kryeministrit Rama, Avokati Êngjëll Agaçi, i kishte deklaruar personit tim që unë duhej të flisja me  një nga rivalët nëse doja të kuptoja përse grupi im ishte nën hetim dhe që gjithsesi nuk do të ishte një ide e mirë  t’i kundërviheshe Shtetit

Pra Vendimi ishte mëse i qartë në këtë pikë, tani t’ua lëmë qytetarëve shqiptarë që t’i vënë emrin e duhur atij që kryen akte të paligjshme jo në mirëbesim, kundër interesit publik shqiptar.

Pyetje: Cili është opinioni juaj personal lidhur me formulimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Arbitrazhit i cili ju nxjerr ju fitues?

Përgjigje: Është një vendim efektivisht shumë i fortë, i shkruajtur në terma gjithashtu të forta

Më pëlqen të kujtoj, duke iu referuar paragrafit 697 që thotë që ky shpronësim ishte kulmi  i një serie të shumtë veprimesh që dëmtuan në mënyrë direkte investimin ose në mënyrë jo direkte, duke na shënjestruar ne aksionerëve.

Pyetje: Gjatë këtyre 6 viteve a kanë sugjeruar ndonjëherë avokatët tuaj se mund të kishte vend për negocim apo tërheqje nga e Shqipërisë në mënyrë që të mund të shpëtoheshin 110 milionët për t’u paguar nga ana e shtetit shqiptar?

Përgjigje: Përsa më takon mua, kam qenë gjithmonë i gatshëm për të gjetur një mënyrë zgjidhjeje të kësaj mosmarrëveshje, duke evituar gjashtë vite  procedurash ligjore por  Qeveria shqiptare nuk ka qenë kurrë e interesuar për  ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje

Sot, duke lexuar vendimin e arbitrazhit, shpjegohet pa asnjë mëdyshje arsyeja.

Në fakt, vendimi, në paragrafin 724 pika a thotë që hetimet penale u nisën nga një qeveri  e afërt me rivalët tregtarë të paditësve, operatorët historikë të kanaleve televizive shqiptare.

Pra, kundër një kanali televiziv kritik ndaj Qeverisë.

Pyetje: Pas analizave dhe arsyetimeve të bëra këto 6 vjet për të kuptuar, keni mundur të mbërrini në një përgjigje individuale se përse e ka ndërmarrë Kryeministri Rama këtë operacion ndëshkues ndaj Televizionit AGON Channel por edhe ndaj jush personalisht?

Përgjigje: Ka vetëm një shpjegim  dhe është ky i mëposhtëm, pra që është vetë Kryeministri Rama i cili dukshëm e konsideron  veprimin e qeverisë së tij të papajtueshëm dhe të papërputhshëm me një shtyp të lirë që në fakt ishte premisa thelbësore, e detyrueshme e Agon Channel dhe e imja personale.

Pa një shtyp të lirë nuk ka demokraci.

Pyetje: Zhurma në studiot televizive që pasoi mbylljen e televizinit AGON Channel nëpërmjet deklarimeve dhe hamendësimeve evidentoi në fakt  njerëz shumë të fuqishëm, pronarë të mediave kryesore në vend, analistë të lidhur direkt me pushtetin, si ka ndikuar kjo klimë e asaj kohe për veprimet konkrete të ndërmarra nga Kryeministri i Shqipërisë ndaj Agon Channel dhe ndaj jush?

Përgjigje: Edhe në këtë pikë vendimi i arbitrazhit është shumë i qartë, në fakt, në paragrafin 708 thuhet që Qeveria Rama ishte ngushtësisht e lidhur me operatorët historikë që janë  identifikuar me Top Channel, drejtuar nga ish-drejtori Enkelejd Joti, dhe nga Tv Klan i Fevziut e Frangajt të cilët dukshëm ishin  rivalët e drejtpërdrejtë tregtarë të Agonset-it.

Vendimi paraqet qe ish drejtuesit  e këtyre televizioneve janë emëruar nga Qeveria Rama në poste kyçe dhe në veçanti është caktuar një drejtues i këtyre operatorëve në krye të Autoritetit  të Pavarur për Telekomunikacionin, AMA.

Dhe për të bërë këtë Qeveria Rama dhe mazhoranca e Partisë Socialiste kanë shkelur rregullat për kuorumin e votimit dhe kështu kanë hequr Kryetarin në krye të AMA-s, Znj. Endira Bushati, që ka qenë objekt  i një fushate mjaft të ashpër nga ana e vetë këtyre operatorëve televizivë.

Këto nuk janë fjalë të mia, por janë fjalë të Vendimit.

Pyetje: Kryeministri ka pretenduar, gjithnjë në televizion, se ju keni humbur tre gjyqe dhe duhet t’i paguani shtetit shqiptar dhe jo t’i merrni atij para. Cila është e vërteta sipas jush?

Përgjigje: Kam parë dhe dëgjuar që Kryeministri më ka quajtur galacticos.

E vërtetë! Sikurse Real Madrid kam fituar gjithçka!

Por mund të përgjigjem edhe në mënyrë futbollistike që do të thotë: nëse unë fitoj Champions League, që është ky vendim arbitrazhi ICSID sepse më lejon ta ngre “Kupën” e lirisë së shtypit,  ai ka fituar vetëm vajtjen  në çerek finale të Kupës së Italisë, që përfaqëson procedurën ICC por që në këtë procedurë Qeveria shqiptare, qeveria Rama, duhet t’i paguajë Hydro-s 50 milionë euro për punime  të realizuara nga ne që u janë kaluar konçesionarëve të rinj.

Këto 50 milionë janë të tjera përveç  dëmshpërblimit prej 150 milionë  dhe që nuk janë kundërshtuar nga ana e qeverisë shqiptare.

Pyetje: Ndërkohë, pavarësisht nga Vendimi i formës së presë i Gjykatës së Arbitrazhit apo formulimit  të Gjykatës së Londrës, shteti Shqiptar vazhdon gjyqin penal në Tiranë, çfarë mendoni ju për këtë gjykim dhe cilat janë mundësitë dhe rrethanat në opinionin tuaj që ai të përfundojë?

Përgjigje: Vendimet e Gjykatës ICSID janë res giudicata. Pra janë gjë e gjykuar.

Gjithashtu, në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë kanë një vlerë prevaluese mbi normat dhe vendimet e brendshme. Duhet theksuar që  siç paraqitet në paragrafin 729 të këtij vendimi, faktet ku bazohet hetimi, akuza penale kanë rënë kështu që procedimi penal duhet të përfundojë.

Më lejoni të sqaroj aspekte të tjera dhe në veçanti, Magistrate Court e Londrës e hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë Shqiptare lidhur me ekstradimin tim për abuzim të proçesit dhe manipulim të provave.

Shqipëria mund ta apelonte atë vendim, por nuk e bëri. Pra, e pranoi abuzimin e proçesit dhe manipulimin e provave. Ky rast është nje rast unik në Mbretërinë e Bashkuar kundër një Shteti të huaj

INTERPOL-i revokoi Red Notes, pra mandatin  e arrestit ndërkombëtar me kërkesën time.

Më pas, ekzekutuesja materiale e hetimeve dhe e akuzës, Prokurorja Antonieta Sevdari që do të kalojë në histori në nivel botëror si njeriu që nuk qe në gjendje të shikonte  dy milionë metra kub material – një pafundësi- i pregatitur nga Kalivac Green Energy të prodhuar në këmbët e veprës, që është depozituar  në anën e majtë të lumit në Kalivaç pas boshtit të digës. Mjafton të shkosh në Google.

Znj. Sevdari më pas u përjashtua nga gjyqësori.

Në fund, Z. Petrit Fusha Kreu i Prokurorisë së Tiranës ai që firmosi kërkesën e e urdhërit të arrestimit tim u zhduk, por ndërkohë kishte marrë për një të afërmin e tij, së bashku me një kompani turke, lejën e konçesionit të Kalivaçit.

Konçesionarët e rinj deri më sot, teksa duhet  t’i kishin përfunduar punimet, kanë realizuar zero centimetra kub material.

Gjithsesi, si gjithmonë do të bëj çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat e mia dhe  të paditësve të tjerë dhe të gjithë punonjësve tanë kundër atyre që konsiderohen  padrejtësi të rënda për të cilat ka pak precedentë në botë.

Pyetje: Pas daljes së vendimit të formës së prerë të dy paneleve gjykuese të një gjykate të Bankës Botërore, Shqipëria duhet të paguajë 110 milion dëmshpërblim për gjithë operacionin anti-AGON. këtu ka zëra se këtë faturë në fakt duhet ta paguajë Kryeministri i Shqipërisë personalisht, politikisht dhe individualisht. Keni ju ndonjë përballje tjetër individuale me Kryeministrin dhe si po zhvillohet ajo?

Përgjigje: Vendimi i arbitrazhit  është i detyrueshëm për Qeverinë Shqiptare. Kështu funksionon sistemi i mosmarrëveshjeve i bazuar në Konventën ICSID.

Unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë konfrontim me Kryeministrin Rama. Mund të shtoj madje që nuk e njoh fare.

Pyetje: Dhe çfarë impakti ka apo mund të ketë sipas jush ky vendim i Gjykatës së Arbitrazhit për hyrjen e Shqipërisë në fazën e negociatave me Europën?

Përgjigje: Një Shtet që nuk respekton lirinë e shtypit, por përkundrazi ndërmerr veprime të rënda si këto, që janë në kundërshtim të hapur me lirinë e shtypit nuk mund të jetë një Shtet që bën pjesë në Europë dhe kjo nuk diskutohet.

Në fakt, siç e kemi parë, Shqipëria, në vend që të vazhdojë të bëjë hapa përpara drejt Europës, po largohet seriozisht  në mënyrë shqetësuese, por ka edhe më shumë. Ato çfarë ka përcaktuar Vendimi ICSID, shkeljet e rënda të kryera  nga ana e Qeverisë Shqiptare kundër Agon Channel, konfirmojnë edhe shkeljet e rënda të kryera ndaj Traktatit të Asocimit në Europë të datës 28/04/2009 ku në nenin 102 thuhet qartësisht që Europa, anëtarët e saj duhet të bashkëpunojnë  me Shqipërinë në industrinë televizive dhe të zbatojnë programe që çojnë në formimin e gazetarëve me qëllim përforcimin e pavarësisë së tyre.

Neni 125 thotë që regjimi i zbatuar nga Shqipëria ndaj komunitetit nuk duhet t’i krijojë hapësirë  asnjëlloj diskriminimi.

E kundërta e asaj që Kryeministri Rama, qeveria e tij bëri ndaj Agon Channel

Në fund, neni 119 parashikon një organizëm për vlerësimin e mosmarrëveshjeve dhe mospërmbushjeve ndaj traktatit.

Është e qartë që vërtetimi i një  shkeljeje të rëndë si kjo, që është res giudicata, mund të çojë në një sanksion të Europës ndaj Shqipërisë, madje deri në zgjidhjen e traktatit. Dhe kjo është e qartë, do të thoshte një “lamtumirë” përfundimtare për Shqipërinë në Europë.

Pyetje: Unë kam edhe një pyetje të fundit, taksapaguesit shqiptarë, ndërmjet të tjerëve dhe unë, do të duhet të paguajmë 110 milion Euro sepse ju keni fituar gjyqin në Arbitrazh dhe shqiptari i zakonshëm për këtë nuk është i lumtur për këtë. Si do ta zgjidhni ju këtë marrëdhënie të komplikuar me Shqipërinë? Çfarë është Shqipëria për ju? Ose më saktë, çfarë do të jetë në të ardhmen nëse do të keni një përgjigje? 

Përgjigje:  Unë kam fituar Arbitrazhin ICSID dhe kam të drejtë të dëmshpërblehem. Dëmet u shkaktuan  nga Kryeministri Rama dhe nga Qeveria e tij që shkelën detyrimet  e një traktati ndërkombëtar dhe të drejtat e investitorëve nëpërmjet një sjellje arbitrare që rezultoi deri madje në shpronësim.

Më pas qeveria shqiptare i tha sistemit ndërkombëtar që do të paguante, që do të rregullonte gabimet e saj prandaj duhet ta mbajë fjalën.

Shikoni, që në fillimet e viteve ’80-, më falni, vitet’90, si një ndër të parët investitorë të mëdhenj të vendosur për të nisur investimet në Shqipëri, në atë vendim  qe shumë e rëndësishme fakti që Shqipëria bënte  vazhdimisht hapa përpara, që i përmbahej angazhimeve dhe që  mbi të gjitha ishte e drejtë ndaj investitorëve të huaj – sepse kjo është mënyra më e mirë për të tërhequr  investime dhe për të gjeneruar rritje dhe punësim.

Mendoj që Shqipëria pikërisht nga kjo pikë duhet të rifillojë.

Në të vërtetë Kryeministri Rama i ndërmori këto veprime për të hequr lirinë e shtypit por Shqipëria duhet të kthehet të aderojë në Shtetin e së drejtës.

Ky rast duhet të ndihmojë  për të mos harruar që ligji, jo makina e korruptuar e shtypjes, do të duhet dhe duhet të rregullojë jetën e një Vendi.

Intervistuesja: Z. Becchetti unë ju falenderoj për këtë intervistë që zhvilluam sonte bashkë. Faleminderit!

Z. Becchetti: Faleminderit!

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button