BotaSport

Maldini: Super Liga? Nuk dija asgjë, por u kërkoj ndjesë tifozëve

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez në një intervistë të dhënë së fundmi pretendoi se Milani nuk ka dalë ende nga Super Liga, megjithatë drejtori teknik i kuqezinjve, Paolo Maldini nuk ka ngurruar t’u kërkojë ndjesë tifozëve në përfundim të ndeshjes me Sassuolon, teksa theksoi edhe faktin që nuk ishte i përfshirë fare në bisedimet për krijimin e këtij kompeticioni.

“Nuk isha i përfshirë në bisedimet për krijimin e këtij kompeticioni dhe gjithçka e mësova vetëm të dielën në darkë, ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë. Ishte një vendim i marrë në nivele më të larta drejtuese, megjithatë kjo nuk më heq përgjegjësinë dhe nuk më pengon t’u kërkoj ndjesë tifozëve që u ndjenë të tradhtuar në principet thelbësore të futbollit, që Milani i ka ndjekur dhe promovuar gjithmonë”, u shpreh Maldini.

Super Liga “vdiq” pas më pak se 72 orësh nga krijimi i saj, ndërsa Maldini thekson se nga kjo histori të gjithë kanë mësuar njëherë e mirë limitet se deri ku mund të shkojnë dhe se nuk mund të tejkalohen principet e meritokracisë.

“Nëse duhet të marrim një mësim nga kjo histori, është të kuptojmë se sa larg duhet të shkojmë. Nuk mund të tejkalojmë parimet e sportit, si meritokracia dhe ëndrrat. Konsiderata ime është ajo e drejtuesit të një klubit që synon të arrijë një objektiv pas 7 vitesh dhe shumë lojtarë e kanë ëndërr përmbushjen me sukses të tij”, deklaroi ish mbrojtësi legjendar i Milanit.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button