Aktualitet

Shqipëria vendos/ Mbyllet orari zyrtar i votimit, vijon përtej 19:00 për qytetarët në radhë

Ora 19:00! Mbyllet orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë. Por urdhri i KQZ është shumë i qartë për të gjithë komisionerët. Në të gjitha qendrat e votimit në të cilat do ketë qytetarë që presin në radhë, procesi do të jetë i hapur deri kur qytetari i fundit të shprehë vullnetin e tij.

3588869 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote kishin sot të drejtë për të zgjedhur 140 deputetët e Kuvendit të ri dhe qeverinë që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. Në garë janë 13 parti dhe në disa qarqe disa kandidatë të pavarur.

Pjesëmarrja ishte mjaft e lartë. Deri në orën 18:00 KQZ raportoi se nga 1654 qendra votimi që kanë informacion nga 5199 në total, qytetarët që kanë votuar janë 45.48%, shifër kjo që pritet që të rritet pas përpunimit të të dhënave deri në orën 19:00, por edhe më pas deri kur të votojë qytetari i fundit.

Procesi i votimit në përgjithësi sot ishte i qetë. Drejtuesit e lartë të shtetit dhe partive votuan që në mëngjes me thirrjet drejtuar qytetarëve për të ndjekur shembullin e tyre.

Jo në të gjithë vendin votuesit u identifikuan në mënyrë biometrike, pasi pajisja në disa qendra nuk arriti që të jetë funksionale duke kaluar në planin “B” votimi manual. Nuk munguan incidentet dhe dhuna deri në derdhje gjaku në Korçë, Berat, Tropojë dhe Elbasan.

Disa qytetarë që tregun votën u arrestuan. Ambasadorët, sidomos të SHBA-BE-së ishin në disa qytete me vëmendje të veçantë Elbasanin, Shkodrën dhe Durrësin duke monitoruar procesin.

Presidenti Ilir Meta ishte gjatë gjithë kohës në lëvizje nga njëri qytet në tjetrin, ndërsa Lulzim Basha ishte në Elbasan dhe Durrës, teksa në qytetin bregdetar e ndoqi pasdite edhe Edi Rama.

Pas mbylljes së votimit, hapi i radhës është transportimi i kutive për t’i lënë vendin numërimit.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button