Aktualitet

Topat me lekë për blerje votash, arrestohen dy militantët e PS

Një makinë me rreth 5 milionë lekë të vjetra të destinuara për blerjen e votës, është bllokuar dje nga mbështetësit e opozitës në zonën e Maqellarës, Dibër.

Ky qark është rikthyer dhe një herë në qendër të vëmendjes për fenomenin e blerjes së votës dhe sërish roli i policisë në zbulimin e tyre ka qenë inekzistent.

Strukturat e opozitës kanë bërë të mundur kapjen e dy personave, anëtarë të shtabit të PS, që po shpërndanin para në këmbim të votës në zonën e Maqellarës në Dibër. Pas bllokimit të dy autorët i janë dorëzuar policisë, për procedura të mëtejshme.

Policia njoftoi sot se dy militantët e PS janë arrestuar.

NJOFTIMI ZYRTAR

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button