Politike

Vangjel Tavo: Votoni masivisht më 25 prill. Votoni që të hedhim pas krahëve këto vite të tmerrshme të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë

Kandidati për deputet nga lëvizja Socialiste për Integrim në qarkun Gjirokastër, Vangjel Tavo me anën e nje postimi në faqen e tij në Facebook ka falenderuar të gjithë mbështetësit e tij gjatë kësaj fushate.
Ai ka falenderuar të rinjtë e të rejat për kontributin e dhënë dhe besimin që Gjirokastra do të ndryshoj. Ka falenderuar banorët e qarkut Gjirokastër të cilët kanë ndarë shqetësimet dhe besimin e tyre.


Falenderoj emigrantët që erdhën të votojnë më 25 prill të shtyrë nga dëshira për të ndryshuar këtë situatë varfërie. Të nderuar socialistë të ndershëm. Unë do ju përfaqësoj denjësisht, siç ju kam përfaqësuar gjithmonë si miku juaj i idealeve të majta dhe në shërbim të njerëzve të thjeshtë e të varfër, shkruan Tavo.

Postimi i plotë:

Të nderuar banorë të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Memaliaj, Këlcyrës, Dropullit dhe Libohovës,

Ju falenderoj nga zemra që më keni mbështetur gjatë kësaj fushate, që keni ndarë me mua shqetësimet tuaja, dhe më keni dhënë shtysë të jem edhe më i vendosur në përmbushjen e misionit tim për t’i shërbyer sa më mirë qarkut tonë.

Ju falenderoj për besimin e dhënë dhe ju premtoj që të gjitha premtimet e mia që kam bërë ndaj secilit prej jush personalisht, në takime në grup apo edhe publikisht, unë do i mbaj dhe do i përmbush një më një.

Kur jep fjalën Vangjel Tavo ajo është fjalë e mbajtur. Dhe ju e dini këtë. E madje edhe kundërshtatët politik e dinë këtë.

Ju falenderoj nga zemra për besimin dhe mbështetjen dhe ju jam mirënjohës.

Falenderoj të rinjtë e LRI por edhe të gjithë ata të rinj e të reja që kontribuan sepse besojnë se Gjirokastra do të bëhet.

Falenderoj anëtarët e LSI, ekipet drejtuese dhe organizative për të gjithë punën e bërë deri në mbylljen e kësaj fushate.

Falenderoj emigrantët që erdhën të votojnë më 25 prill të shtyrë nga dëshira për të ndryshuar këtë situatë varfërie dhe papunësie ekstreme në qarkun tonë, e për të kontribuar me votën e tyre për NDRYSHIMIN e sigurtë që po vjen.

Falenderoj ekipin e mrekullueshëm të Kandidatëve për Deputetë të LSI Gjirokastër, të cilët janë dhe rrezatojnë vlera të larta njerëzore dhe janë përfaqësimi i duhur për qarkun tonë.

Të nderuar miq të administratës publike.

Votoni të lirë dhe me ndërgjegje më 25 prill. Mos lejoni askënd t’iu ofendojë dhe kërcënojë me vendin e punës se janë vetëm ata, që i njeh e gjithë Gjirokastra dhe qarku, që do largohen më 26 prill.

Të nderuar punonjës të ndershëm dhe me dinjitet të Policisë së Shtetit. Njihem me pjesën më të madhe prej jush ndaj ju mirëkuptoj se ajo çfarë ju urdhërohet të bëni është në konflikt me çfarë jeni, por ju siguroj që me 26 prill, Shqipëria nuk do ketë më këtë ministër e këtë qeveri. Ndaj rezistoni dhe ruani integritetin tuaj profesional.

Të nderuar socialistë të ndershëm,

Unë do ju përfaqësoj denjësisht, siç ju kam përfaqësuar gjithmonë si miku juaj i idealeve të majta dhe në shërbim të njerëzve të thjeshtë e të varfër, e jo oligarkëve e turistëve të “Rilindjes” që ju shkelën dhe turpëruan bindjet. Do ecim bashkë shumë gjatë dhe e majta e vërtetë do jetë më e fortë në qarkun tonë.

Të nderuar motra e vëllezër,

Punësim – Punësim – Punësim deri sa asnjë familje në qarkun tonë të mos ketë më qoftë edhe një pjesëtar të papunë.

Ky është programi im për të shuar varfërinë dhe për të rritur ekonominë e familjeve të thjeshta.

Dhe unë këtë premtim dhe mision do e përmbush plotësisht.

Votoni masivisht më 25 prill. Votoni që të hedhim pas krahëve këto vite të tmerrshme dhe shkatërrimtare dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë për ju dhe familjet tuaja.

Përzemërsisht,

Vangjel Tavo

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button