AktualitetPolitike

Veliajt i del emri në Databazën e të dhënave të grabitura për 910 mijë vetë

Një shpërthim anormal nervash nga Erion Veliaj ra në sy menjëherë pasi Lapsi.al denoncoi grabitjen e të dhënave personale për 910 mijë banorë të Tiranës, monitorimin e tyre dhe presionet për votën nga patronazhistët e Partisë Socialiste.

Veliaj pranonte ekzistencën e një Databaze në selinë e PS, por ai mohoi kategorikisht që ajo ishte e njëjta që denoncoi Lapsi.al.

Veliaj pranoi konceptin e “patronazhistëve” mes strukturave të PS, por ai mbrojti versionin se Databaza e PS kishte në themel informacione nga puna në terren, të cilat qytetarët i japin vullnetarisht për patronazhistët.

Veliaj mohoi kategorikisht se Databaza që publikoi Lapsi.al i përkiste Partisë Socialiste, sepse aty ishin edhe të dhëna sensitive që 910 mijë votues të Tiranës, ia kishin besuar institucioneve shtetërore dhe asnjë partie politike.

Dhe ndërsa mohoi se Databaza i përkiste socialistëve, Veliaj sulmoi Lapsi.al, duke e quajtur atë një media “ordinere”.

Duke i qëndruar alibisë se PS ka patronazhistë, por nuk ka Databazën e Lapsit, fenomeni i survejimit të qytetarëve po shitet si diçka normale në fushatën e socialistëve, ndaj Lapsi.al hulumtoi sërish në dokumentin që siguroi nga kompjuterat e PS.

Aty zbulohet edhe arsyeja se pse Veliaj e shthuri gojën dhe e humbi kontrollin kur doli lajmi i grabitjes së të dhënave personale.

Tashmë që Databaza është shpërndarë në mijëra kopje në të gjithë Tiranën, çdokush mund të bëjë një kërkim të thjeshtë mbi kolonën e komenteve të patronazhistëve me mbiemrin e kryebashkiakut “Veliaj”, fillimisht duke klikuar mbi trekëndëshin në krah të komenteve, pastaj duke klikuar mbi komandën “Text filter”, pastaj komandën “Contains” dhe në fund duke kërkuar me “Veliaj”.

Në foto mund të gjeni komentet e patronazhistëve që përshkruajnë si vota të sigurta 16 qytetarë, të referuar nga E.Veliaj.

Në dokument janë edhe emrat e qytetarëve që ka referuar drejtuesi politik i fushatës së PS-së, janë edhe emrat e patronazhistëve që kanë marrë porositë e tij. Rezultatet e kërkimit në Databazë nuk përbëjnë më habi dhe i shtohen qindra detajeve të dokumentit, që të çojnë vetëm në dyert e selisë së PS-së, ose maksimumi në dyert e Bashkisë së Tiranës, ku janë përpunuar të dhënat.

Vetëm SPAK ka mbetur në vendnumëro dhe vazhdon kërkon dokumentin në redaksinë e Lapsi.al.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button