Aktualitet

60 miliardë lekë publike për 4 ‘Rilindas’/ Tendera për Kolën, Gjicin, Abazin e Qefaliaj

60 miliardë lekë nga fondet publike kanë përfituar në dy vitet e fundit 4 persona të lidhur drejtpërdrejtë më Partinë Socialiste. Ish-deputeti socialist Ndue Kola, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, deputeti milioner Sadri Abazi, si dhe administratori i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia vijojnë të marrin para nga shteti. Bizneset e tyre kanë përfituar tendera në ndërtim rrugësh dhe veprash të tjera industriale, por edhe për ruajtjen fizike dhe furnizimin me ushqime të institucioneve shtetërore

Në dy vitet e fundit, rreth 60 miliardë lekë nga tenderat publikë kanë shkuar vetëm për bizneset e lidhura me 4 zyrtarë të lartë të qeverisjes së “Rilindjes”.

Shifrat tronditëse zbulohen nga të dhënat e Thesarit të Shtetit mbi transaksionet publike. Janë kryesisht tendera në ndërtim rrugësh dhe veprash të tjera industriale, por edhe për ruajtjen fizike dhe furnizimin me ushqime të institucioneve shtetërore.

Në krye të listës së përfituesve nga fondet publike qëndron kompania “ANK”, e themeluar nga Ndue Kola, ish-deputet socialist në mandatin e parë qeverisës së Edi Ramës.

Në bazë të të dhënave zyrtare, rezulton se “ANK”, e cila tashmë drejtohet nga Agim Kola, vëllai i ish-deputetit, ka përfituar përgjatë viteve 2019-2021 më shumë se 21 miliardë lekë të vjetra.

Këto të dhëna lidhenin vetëm me paratë e paguara deri në prill të këtij viti, ndërkohë që këto shuma do të vijojnë të rriten, deri në përfundim të kontratave publike të përfituara nga “ANK”.

Në vendin e dytë të top-listës së përfituesve qëndrojnë bizneset e themeluara nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe që tashmë administrohen nga vëllai i tij, Lavdrim Gjici.

Kompania e ndërtimit “Kevin Konstruksion”, e cila mban emrin e një prej fëmijëve të Safet Gjicit, ka përfituar gjatë dy viteve të fundit 16.5 miliardë lekë të vjetra nga tenderat publikë.

Edhe në këtë rast, shifrat e përfitimit janë vetëm të përkohshme, pasi ato do të rriten në vijim, pasi autoritetet shtetërore do të vijojnë të shlyejnë këstet e radhës, në bazë të punimeve të kryera nga “Kevin Konstruksion”.

Krahas kompanisë së ndërtimit, biznesi i familjes së Safet Gjicit ka arkëtuar përgjatë dy viteve të fundit edhe rreth 700 milionë lekë të vjetra, nëpërmjet shoqërisë së sigurimit fizik, “Eurogjici Security”, gjithashtu e themeluar vite më parë nga kryetari aktual i Bashkisë së Kukësit.

Sadri Abazi, deputeti milioner, i cili nuk do të jetë i pranishëm në parlamentin e ardhshëm, ka dalë po ashtu shumë i kënaqur nga fondet publike.

Dy kompanitë të themeluara dhe të lidhura drejtëpërdrejtë me të, kanë siguruar një total prej rreth 16 miliardë lekësh gjatë dy viteve të fundit.

“Alko Impeks General Konstruksion”, nën administrimin e nipit të tij, ka arkëtuar, deri më tani, rreth 14.5 miliardë lekë të vjetra.

Ndërsa kompania “bijë” e saj, me emër të ngjashëm, “Alko Impeks Konstruksion”, ka fituar mbi 1 miliard lekë nga tenderat publikë të zhvilluar në periudhën 2019-2021.

Top-listën e bizneseve të lidhura familjarisht me zyrtarë të lartë rilindas e mbyll “Dajti Park 2007”, kompani e themeluar nga administratori i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, njëkohësisht vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Kompania e furnizimit të ushqimeve, e cila tashmë është në pronësi zyrtare të vëllait tjetër të familjes Qefalia, Lulzimi, ka përfituar mbi 5 miliardë lekë nga tenderat publikë gjatë dy viteve të fundit. 

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button