Politike

‘Ata le të merren me ne, ne do ngjitemi në majë…’/ Rama ngacmon sërish Bashën: Ftesa jonë për ta është e hapur, mandati i 3-të s’do i ngjajë të parëve

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha. Në rrjetet e tij sociale, Rama edhe njëherë ka përsëritur thirrjen për bashkëpunim me opozitën, duke shtuar se mandati i tij i tretë në krye të qeverisë do të jetë në funksion të qytetarëve. Duke shtuar se lufta politike, nuk do të jetë më në fokus të tyre, duke paralajmëruar “paqe politike”. Të paktën nga ana e PS-së. 

“Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur! Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!,”-shkruan Rama në rrjetet e tij sociale. 

Ndërkohë nga ana tjetër, Partia Demokratike ka vendosur të mos njohë zgjedhjet e 25 prillit. Kjo mosnjohje sipas PD, së pari është ligjore dhe me mbledhjen e fakteve do të vendoset nëse do të jetë edhe politike. Kryetari i PD, Lulzim Basha nuk e sheh dorëheqjen si mundësi, pasi për të, ai dhe grupi i tij, janë të vetmit që mund ta shpëtojnë Shqipërinë. Është ende e paqartë rruga që do të ndjekë PD në këtë situatë, kur qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 iu është dhënë socialistëve me një konfirmim të pastër prej 74 mandatesh. Megjithatë sot Basha paralajmëroi luftë në të gjitha frontet. 

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button