Analiza

Duhet hetim 83 mijë votave të pavlefshme! Zgjedhjet janë goditur nga blerja e votës dhe për këtë nuk ka më asnjë dyshim

Rezultatit i zgjedhjeve të 25 prillit, para se ti njihet fitorja e tretë Edi Ramës, ka nevojë të analizohet dhe hetohet. Procesi elektoral ka deformuar vullnetin e qytetarëve në një masë të jashtëzakonshme. Fakti më domethënës për manipulimin e këtyre zgjedhjeve janë edhe fletët e votimit. Janë mbi 83 mijë shqiptarë, vullneti politik i të cilëve është cilësuar i pavlefshëm nga ana e komisioneve të numërimit. Janë rreth 8 mandate deputetësh që janë asgjësuar në këto zgjedhje në mënyrë të pashpjegueshme dhe jashtë çdo standardi normal. Në zgjedhjet e tjera, shifra e votave të pavlefshme ka qenë 20 apo 30 mijë.

Çfarë ka ndodhur më 25 prill që numri i fletëve të pavlefshme është 4 fishuar? Argumentet se votuesit janë ngatërruar me numrat nuk japin përgjigje të plotë. Sepse nuk mund të pranojmë që 83 mijë shqiptarë nuk dinë të lexojnë shifrat apo janë analfabetë. Ngatërresa në fletën e votimit ka në çdo zgjedhje, por kurrë në këto shifra. Kur pushteti politik po ndahet me 4 deputetë, 83 mijë votë (8 mandate) janë shumë për t’u hedhur në kosh si të pavlefshëm. KQZ dhe institucionet e drejtësisë duhet të marrin nisin menjëherë hetimin administrativ dhe penal për atë që ka ndodhur me votat e pavlefshme. Më e pakta që duhet bërë menjëherë është rinumërimi dhe rivlerësimi i këtyre fletëve. Në kushtet kur mandatet e deputetëve si në Berat, Durrës po digjen për 17 apo 200 vota, rivlerësimi i këtyre fletëve është detyrim ligjor dhe moral për KQZ. Ndërsa drejtësia duhet të bëjë gati prangat dhe hetime të hollësishme për personat që kanë vënë në lëvizje mekanizmin e manipulimit të votave në tavolinë dhe komisionerët që janë sjellë si killera të votës.  Në këtë fazë që ndodhet procesi, hetimi më i vlefshëm i drejtësisë së re është ai i votave të pavlefshme, përveç blerjes masive me lekë në dorë. Ndërkohë, zgjedhjet e 25 prillit kanë nevojë dhe për hetim të gjithanshëm në gjithë elementët e procesit.

Zgjedhjet janë goditur nga blerja e votës dhe për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Janë dëshmi pa fund të qytetarëve dhe mediave që tregojnë se në disa zona çmimi për një votë ka arritur në 500 euro. Qeveria dhe kandidatët të caktuar janë denoncuar në media, se kanë hedhur milionë euro vetëm për të siguruar një mandate deputeti. Procesi është shkatërruar po ashtu nga bandat e drogës dhe nga krimi i organizuar. Elbasani, pas asaj që ndodhi me përplasjen mes militantëve tregoi se gara elektorale ishte false dhe ata që realisht bënin fushatë ishin vetëm elementët kriminalë të lidhur me Rilindjen. Sjellja e policisë së në Elbasan, dëshmoi se shteti nuk ishte në terren për të mbrojtur qytetarët, por u vu në shërbim të banditëve dhe fushatës së qeverisë për zgjedhjet. Votat që nuk u blenë nga bandat dhe kandidatët, në këto zgjedhje janë bërë direkt nga qeveria me para në dorë. Në Durrës, lekët e banesave të dëmtuara nga tërmeti janë shpërndarë në datën 20 prill dhe qytetarët janë informuar me SMS nga Bashkia e Durrësit se kanë në llogari bankarë, 1 mijë apo 2 mijë euro sipas dëmit. Mënyra sesi janë dhënë paratë para zgjedhjeve nuk është ligjore dhe quhet praktikisht blerje vote. Vetëm në Durrës janë dhënë në pak ditë, nga buxheti i shtetit 13 milionë euro për rindërtimin. Janë para që kanë shkuar te banorët me bankë apo me zarfa për tu marrë votën. Në total, në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Laç, vetëm për rindërtimin nga tërmeti, muajt e fundit janë shpërndarë 40 milionë euro. Këto para janë dhënë qëllimisht për zgjedhjet. Pavarësisht se qytetarët kanë marrë dëmshpërblimin, nga drejtuesit e PS këto para u janë dhënë vetëm pasi kanë marrë garanci se do të ishin votues të PS.

Administrata në këto zgjedhje ishte pjesë e partisë në pushtet dhe herë me dëshirë dhe herë me pahir, u përfshi në blerje dhe deformimin e votës. Për herë të parë vëzhguesit e OSBE/ODIHR thonë se në këto zgjedhje nuk dallohej ku fillonte partia dhe ku fillonte shteti. Kjo është deklarata më e rëndë që OSBE ka bërë për rolin e administratës dhe do të thotë se në Shqipëri kemi një parti-shtet, si në kohën e ish-diktaturës. Të gjithë këto elementë të manipulimit të procesit kanë nevojë urgjente për hetim dhe për të zbuluar përmasat e vërteta të manipulimit. Hetimi nis që nga fakte më të thjeshta dhe që gjenden në tavolinat e KQZ, fletët e pavlefshme.

Mili Xhani

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button