Argetim

E gjeti gruan në motel pas divorcit, Mozzik dhe Loredana zbulojnë sekretet e rikthimit të tyre

“Rosenkrieg” quhet bashkëpunimi i radhës i çiftit Mozzik dhe Loredana, që shënon këngën e parë të albumit “No rich parents”.

Titulli shpjegon edhe gjithë historinë e tyre që përfundoi në ndarjen e përfolur të muajve më pare, e që tani ja ku janë bashkë për ta rrëfyer atë histori publikisht nëpërmjet projektit të tyre.

E vërteta është që ata kanë vendosur ta rrëfejnë me klip këtë histori, duke na sjellë si në një minifilm se ç’dodhi me martesën e tyre pasi u bënë prindër të vajzës Hana.

Nisur nga tituli ‘Rosenkrieg’, nga gjermanishtja: “rose”, ka kuptimin “trëndafil”, ndërsa “krieg” përkthehet “luftë”. “Rosenkrieg” fjalë për fjalë ka kuptimin “lufta e trëndafilave” dhe nuk ka aspak kuptim pozitiv. Rosenkrieg u referohet mosmarrëveshjeve mes partnerëve, ose ish-partnerëve, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një grindje apo konflikt të thjeshtë, por për një “luftë” mes dy njerëzve që janë ose kanë qenë të dashuruar.

“Gjithçka ndodhi thjesht sepse ishim të dashuruar. Tani jetojmë me luftën tonë të trëndafilave. Mijëra ndjenja u bënë politikë, çdo debat mes nesh shkoi aq larg derisa filloi një terren gënjeshtrash. Gjithçka ndodhi thjesht sepse ishim të dashuruar”, është kjo një pjesë e tekstit. Videoklipi e gjen çiftin mes lotësh dhe debatesh të forta, sherresh të shumta, derisa largohen nga njëri-tjetri. “Gjithmonë shumë stres. Vetëm u përkeqësua dhe unë ika. Ende mund ta kujtoj dashurinë”, thotë Mozzik në pjesën e tij të klipit.

Loredana, ndër të tjera, shprehet se njerëzit mendonin se ishte faji i saj, “por të dy e dimë që ka dy anë”. “Vetëm ne të dy e dimë të vërtetën”, thotë ajo.

Kënga përmban edhe momente të gëzueshme, përfshirë lindjen e vajzës së tyre, Hana. Klipi përfundon me Mozzik që merr Loredanën nga një motel, ku ajo shkoi të flinte pasi u largua nga shtëpianjë mënyrë për të thënë se u kthyen sërish te njëri-tjetri. E tashmë pasi kanë hedhur pas krahëve historinë e tyre të rëndë të divorcit, Loredana dhe Mozzik janë rikthyer bashkë dhe më të fortë se kurrë.

Çifti i dashur i showbizz-it nxjerrin kështu albumin e tyre “No Rich Parents”. Reperët zbuluan kopertinën e albumit në një foto të publikuar në rrjetet sociale, kur Loredana pozonte topless krah partnerit të saj. Megjithatë një prej ndjekësve i ka rikujtuar fjalët që reperja ka thënë më parë, ku shprehej se nuk do të ekspozonte trupin për të marrë klikime.

“Asnjëherë nuk jam zhveshur për klikime”, i kujtoi fansja, së cilës ajo iu përgjigj: “E kam bërë për Mozzikun, bukuroshe”. Kujtojmë që çifti, prindër të një vajze, i dhanë fund martesës së tyre, por gjetën sërish rrugën drejt njëritjetrit, pavarësisht deklaratave të Mozzik se nuk do ta kthente më kokën pas.

Ata u përfolën se do të bëheshin prindër për herë të dytë, pasi reperja publikoi foto me një foshnje në krahë, por thashethemet u hodhën poshtë pasi burime treguan se ishte pjesë e videoklipit të tyre, për të sjellë reale momente nga jeta e tyre me Hanën. Një çift si Mozzik e Loredana, si e shpëtuan familjen pas romancave me Zunën dhe Kidën?

Pasi u përfolën për histori pas divorcit me kolegët e muzikës, Loredana Zefi dhe Mozzik kthehen në krahët e njëri-tjetrit duke shpëtuar familjen. Çifti më i komentuar i vitit që lamë pas tashmë që janë dhe prindër, pas ndarjes u përfolën për romanca me kolegët e tyre në muzikë, Loredana me Zunën, ndërsa Mozzik me Kidën.

Por duke qenë se asgjë nuk ndërrohet me familjen, ata kanë vendosur të hedhin pas krahëve mosmarrëveshjet e t’ia rinisin nga e para. Ishte Loredana ajo që publikoi pjesën e parë të dokumentarit, duke konfirmuar kështu edhe ribashkimin e saj me Mozzik. Në videon e publikuar kohë më parë në rrjetet sociale, ata shiheshin krah njëri-tjetrit të lumtur dhe tepër të qetë. Rikthimi në krahët e njëri-tjetrit në fakt kishte ndodhur shumë kohë më parë, por u zbulua më vonë.

“Lori është një tip më ndryshe prej femrave të tjera. Kjo është njëra prej arsyeve që më ka pëlqyer më shumë”, ishin këto fjalët e Mozzik për reperen. Në një pjesë të dokumentarit ata shfaqeshin duke i bërë njëritjetrit një tatuazh, Loredana në barkun e Mozzik dhe Mozzik në gishtin e Loredanës, një gjest tepër i veçantë që ka brenda kuptimin se dhembja në dashuri lë shenjën e saj.

Po ashtu, në pjesë të tjera shohim se si Mozzik fshihej pas fotove që reperja publikonte në rrjetet sociale në kohë të ndryshme. Dokumentari përmban pjesë edhe nga koha kur Loredana ishte shtatzënë dhe më pas kur sapo u bënë prindër. Dokumentari ka dhe 3 pjesë të tjera ku rrëfehen detaje se ç’ka ndodhur në historinë e tyre të dashurisë dhe divorcit.

Fotoja e parë e rikthimit u sigurua nga një media e Kosovës, që i fotografoi në një hotel. Po si arritën ata ta shpëtonin familjen? Miq të afërt kanë treguar se pas konflikteve dhe inateve, që shpesh i kanë shprehur publikisht, duke u takuar shpesh për vajzën kanë menduar “të ulin armët” e të flasin për të mirën e fëmijës dhe të familjes

Pas disa bisedimeve kanë rënë dakord, duke hedhur pas krahëve të shkuarën e duke ia nisur nga fillimi. Kujtojmë që ndarja e Mozzik dhe Loredanës ka qenë tema më e diskutuar kohët e fundit, shoqëruar me shumë kunja që ata i bënin njëri-tjetrit në rrjetet sociale. Pas deklaratës së Loredanës për ndarjen e tyre, e cila ishte e para që theu heshtjen pas shumë dyshimesh rreth marrëdhënies që kishin, situata u bë akoma dhe më e qartë. Dukshëm të dy ecën para, këngëtarja me turin e saj dhe Mozzik me muzikën e tij.

Mozzik i hodhi benzinë zjarrit pasi realizoi projektin e titulluar “Dhelpër dinake”, që u tha se ishte një dedikim për Loredanën. “’Dhelpër Dinake’ po vjen. Me ndërru lojën në vjeshtë veç unë di”. Nisur nga titulli, mediat e Kosovës filluan me komentet se “Dhelpër dinake” ai quajti publikisht Loredanën.

PERIPECITË E ÇIFTIT VIP NË MAJË TË MUZIKËS, ARSYEJA PSE NGELËN PA PARA BRENDA DITËS

Me të drejtë Mozzik thotë se ka kaluar shumë sfida në lidhjen me Loredanën, sprova që i lidhën më shumë me njëri-tjetrin dhe kjo është arsyeja pse e kanë titulluar albumin e tyre “No Rich Parents”. Në dhjetor të vitit 2018 çifti shumë i njohur i showbizz-it, Gramoz Aliu, që njihet si Mozzik, dhe Loredana Zefi, u bënë prindër për herë të parë në moshë shumë të re.

Loredana solli në jetë vajzën Hana, e cila tashmë ka një llogari të sajën në “Instagram” dhe numëron mijëra ndjekës. Mirëpo, vetëm 8 muaj pasi u bënë prindër, duket se mes çiftit nisën problemet. Fansat filluan të shqetësoheshin pasi që prej publikimit të bashkëpunimit të tyre të fundit të titulluar “Eiskalt”, Loredana dhe Mozzik s’u panë më bashkë.

Reperja solli bashkëpunimin e saj të ri me reperin turko-gjerman Mero, ndërkohë që Mozzik s’ishte fare i pranishëm në xhirimet e klipit. Dyshimet lindën edhe për faktin se ai nuk e publikoi në profilin e tij në “Instagram” këngën e Loredanës, ashtu siç bënte më parë. Të prezantuar si çifti ideal që në muzikë dolën si burrë e grua, ata stopuan me postimin e fotove çift.

Si arsye e mosmarrëveshjeve mes tyre u cituan problemet e Loredanës me drejtësinë, pasi u akuzua për një skemë mashtrimi, problem që e zgjidhi këtë vit. Kujtojmë që mbi një muaj nga zbulimi i skemës së mashtrimit të reperes në Zvicër, situata u përkeqësua në dëm të saj dhe bashkëshortit Mozzik.

Prindërit e një fëmije të vogël, përveç reputacionit të dëmtuar në publik, rrezikonin të mbeteshin pa asnjë para në xhep. Edhe pse Loredana duket se zgjodhi që të vazhdonte qetësisht karrierën e saj, nga ana tjetër ajo ishte nën hetim nga autoritetet zvicerane për ngjarjen e bujshme të mashtrimit të një çifti zvicerian.

E teksa javët dhe muajt kalonin, detaje të reja dolën në dritë nga mediat zvicerane. Portali zviceran “Zentraplus.ch” zbuloi pak kohë më parë se zyra e Prokurorit Publik dha urdhër që të bllokoheshin të gjitha llogaritë bankare të Loredanës, informacion ky i shpërndarë nga Gjykata e Kantonit të Luzernit.

Ky vendim i autoriteteve u mor për shkak të dyshimeve se pasuria e artistes kishte prejardhje të dyshimtë. Por këtë vendim e kundërshtoi menjëherë Loredana, duke bërë kërkesë kundër bllokimit të llogarive të saj, një kërkesë kjo e hedhur poshtë nga autoritetet. Në një rast të tillë, ajo nuk përdorte llogaritë e saj bankare, duke mos mundur as të depozitonte dhe as të tërhiqte para.

Kjo gjë nënkuptoi që ajo mbeti pa para për të jetuar normalisht, apo për të paguar avokatin e saj. Në këtë pikë, sipas medias zvicerane, artistja shqiptare bëri kërkesë që për rastin e saj të angazhohej një avokat shtetëror, i cili punon pa pagesë. Kështu, problemet me paratë dyshohej se ishin një nga arsyet e krizës dhe ndarjes, por që tani e kanë hedhur pas krahëve, pasi zgjidhën dhe problemet me drejtësinë.

Mozzik është një nga reperat më të suksesshëm të Kosovës dhe Loredana nuk qëndron shumë pas tij, sukses që përkthehet në fitime të larta nga muzika. Tashmë ata kanë menduar që edhe këngët t’i bëjnë bashkë, duke qenë se historia e divorcit u kthye në favor për shtimin e fansave në muzikë.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button