Politike

Intervista te La Stampa/ Rama sulmon sërish Brukselin, mohon përgjegjësitë

Kryeministri, Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Firence Itali, në konferencën “The State of Union”, ka dhënë edhe  një intervistë për gazetaren Letizia Tortellos të botuar në gazetën e njohur ”La Stampa”.

Rama është pyetur përveç të tjerave, edhe për arsyet se përse Shqipëria është vonuar kaq shumë në procesin e integrimit dhe përgjigjja ka qenë befasuese për gazetaren. Sipas kryeministrit të Shqipërisë të gjithë fajet i ka Brukseli, i cili sipas tij po frenon hapjen e bisedimeve ndërqeveritare. Edhe kur gazetarja e habitur e pyet për mos bërjen e reformave dhe korrupsionin e lartë, kryeministri i cilëson të gjitha këto në qesharake.

Pjesë nga intervista

La Stampa: Kryeministri Rama, 30 vjet më parë bashkëqytetarët tuaj mbërritën në brigjet italiane me anije të mbipopulluara si ”Vlora” duke ëndërruar të punonin si punëtorë në ndërmarrje ose në kantieret e ndërtimit. Sot kemi profesionistë, të diplomuar, mjekë dhe pjesën më të mirë të rinisë që emigrojnë nga Tirana. A është fati i vendit tuaj për t’u bashkuar me BE?

Edi Rama: Ne e shikojmë Italinë si Shqipërinë e së nesërmes. Për ne Europa është një fe dhe nuk ka asnjë zonë tjetër të ndikimit në fatin tonë europian, të cilin e kemi pritur me shekuj. Para vitit 1990 nuk mund ta ëndërronim. Tani, ne mund ta zgjedhim atë. Populli ynë ndihet europian. Për fat të keq, kriza e refugjatëve ka ndryshuar BE-në për keq dhe tani Brukseli vazhdon të shtyjë negociatat, pasi vendimi është marrë, për shkak të oportunizmit nacionalist dhe egoist të disa vendeve”.

La Stampa Negociatat janë ndërprerë gjithashtu sepse ju jeni seriozisht mbrapa me reformat e kërkuara: korrupsioni, spastrimi i gjyqësorit dhe liria e medias.

Edi Rama: Ne jemi duke bërë detyrat e shtëpisë. Reforma në drejtësi është një proces për t’u duartrokitur, ne jemi në gjysmën e punës. Ju nuk mund të kërkoni nga një atlet që të bëjë një operacion, të shërohet dhe pastaj t’i vrapojë 100 metrat në të njëjtën kohë. Rregullat europiane janë një makinë vdekjeprurëse që vlerëson kufij që shpesh nuk do të kënaqnin as shtetet anëtare. Nëse Zvicra ose Italia do të quheshin Shqipëri ose Kosovë, mbase nuk do të lejoheshin të futeshin në Europë sot duke pasur parasysh korrupsionin dhe reformat që do të zbatoheshin”.

La Stampa: Po akuzoni Bashkimin Europian për vënie pengesash?!

Edi Rama: Unë them se kjo histori është paksa qesharake, që ne kurrë nuk qenkemi gati për bisedime paraprake për të filluar procesin e integrimit. Është shumë e lehtë dhe e përshtatshme të gjuajmë me gurë ndaj atyre që janë jashtë derës. Por, nuk ka asnjë fat tjetër për Shqipërinë përveç Europës. Kjo i shkon për shtat edhe Europës.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button