AktualitetPolitike

PD dorëzon në Kas dosjet voluminoze ankimore për 25 Prillin, kërkon përsëritje të zgjedhjeve në 9 qarqe

TIRANË– Grupi i juristëve të PD ka dorëzuar në KAS dosjet voluminoze me ankesat për parregullsi në procesin zgjedhor të 25 Prillit në 9 qarqe.

Në një dalje publike për mediat, përfaqësuesja e grupit të juristëve të PD-së tha se bëhet fjalë për prova që tregojnë qartë për atë çka e cilësojnë masakër elektorale.

“Procesi i 25 Prillit ishte një masakër elektorale i zbatuar nga treshja Rama-Doshi Rakipi. Sot siç e patë ne dorëzuam pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve qindra prova që dëshmojnë manipulimin e zgjedhjeve, duke filluar nga blerja e votave dhe përdorimi i të dhënave personale nga partia-shtet dhe deri tek kërcënimi dhe blerja e votave përmes grupeve kriminale”, – tha përfaqësuesja e grupit të juristëve të PD.

DEKLARATË E PËRFAQËSUESVE JURIDIKË TË PD, MARINELA ZIU DHE MARASH LOGU, PAS DORËZIMIT TË DOSJES ANKIMORE NË KQZ PËR ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

Procesi i 25 prillit ishte një masakër elektorale e orkestruar dhe zbatuar nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi. Viktimat e kësaj masakre elektorale janë shqiptarët dhe familjet e tyre. Detyra e Partisë Demokratike është të qëndrojmë fort dhe të vendosur dhe të luftojmë me të gjitha fuqitë për kthimin e demokracisë në vend.

Sot, ne po dorëzojmë në KQZ qindra prova fakte dhe të dhëna që provojnë tjetërsimin e vullnetit tê shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri.

Nga blerja e votave dhe presioni ndaj votuesve, tek vjedhja e të dhënave personale të qytetarëve nga partia-shtet dhe përdorimi i tyre për presione kriminale nga sistemi i patronazhistëve të partisë shtet.

Nga angazhimi i shtetit dhe administratës, tek tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të bler vota.

Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar tek përdorimi i bandave për të blerë vota dhe kërcënuar qytetareët nën mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë.

Nga ndryshimet antikushtetuese të Kodit Zgjedhor, tek ndryshimet me urdhër politik të fletës së votimit  që sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave baraz me afërsisht 8 deputetë.

Nga pamundësimi i votës së emigrantëve tek karantina 3 ditore për të penguar emigrantët të vijnë fizikisht për të votuar.

Siç e pamë gjatë zgjedhjeve, regjimi Rama-Doshi sundon gjithë sistemin shtetëror në vend, dhe e përdor atë për përfitimet e tij politike. Këtu përfshihet edhe KAS i cili vendosi fletën e votimit sipas urdhrit politik të Edi Ramës. Por është detyra jonë të shpalosim gjithë dëshmitë dhe dokumentet që kemi dhe të vazhdojmë betejën për të vërtetën dhe për qytetarët shqiptarë në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë që ekzistojnë.

Kjo betëjë nuk ka të bëjë me PD apo me partitë politike, ajo ka të bëjë me të ardhmen tonë, fëmijët tanë, demokracinë tonë. Dhe përfundimi i saj do të jetë i qartë: përmbysja e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button