Analiza

Shqetësimet pas 25 prillit 2021

Nga Kastriot Islami 

Gjatë këtyre ditëve pas 25 prillit 2021 shumë qytetarë më kanë shkruar duke më ngritur shqetësimet e tyre lidhur me zgjedhjet e para një jave. Disa duan sqarime kurse shumë të drejtë kërkojnë orientime se çfarë duhet bërë. Gjykoj se shqetësimet e tyre janë të drejta.

Demokraci do të thotë qeverisje e popullit

Nëse një popull apo më saktë qytetarët masivisht angazhohen/vendosin për të jetuar në një sistem demokratik atëherë duhet të kenë parasysh se ‘demokracia është qeverisja e tyre’; prandaj duhet të kujdesen për të po ashtu sic kujdesen për ‘fëmijën’ e tyre, për ‘familjen’ e tyre…

Nga ana tjetër: nëse dikush tenton të dëmtojë apo prishë ‘demokracinë’ pra qeverisjen e tyre, nuk ka asnjë mënyrë më efikase sesa qytetarët të dalin masivisht dhe ta mbrojnë ‘qeverisjen’ e tyre, pra demokracinë.

Nëse qytetarët s’e mbrojnë dot demokracinë destinohen të jetojnë në diktaturë

Ata që nuk dalin të kryejnë këtë ‘detyrim’ apo kanë frikë të dalin janë të destinuar të jetojnë në një sistem që nuk quhet ‘demokraci’ ose në rastin më të mirë është ‘diktaturë’ me maskën e demokracisë, që është e njëjta gjë. Të gjitha këto i ka shprehur në një mënyrë më ‘troç’ Çurçilli:

Çdo popull meriton qeverinë e tij.

Kjo shprehje disa i ndërgjegjëson për rolin e tyre në demokraci kurse disa të tjerë i ligështon duke i bërë madje deri edhe pesimistë apo indiferentë. Ata që duan demokracinë si maskë për të fshehur diktaturën i ‘adhurojnë’ pesimistët dhe indiferentët sepse ata në thelb e duan demokracinë por duket ndjehen të pafuqishëm për të kontribuar…

Thënë më ‘shqeto’: nëse doni qeverisjen tuaj, pra demokracinë, angazhohuni seriozisht dhe mbroni qeverisjen tuaj siç mbroni ‘fëmijën’ tuaj, ‘familjen’ tuaj, origjinën tuaj, fshatin tuaj, krahinën tuaj, vendin tuaj…

 S’mjafton angazhimi individual; duhet të bëheni shumicë për të mbrojtur demokracinë

Nuk ka asnjë rrugë tjetër… madje duhet të bëheni shumicë që të realizoni këtë mision sepse jo rrallë ndodh që vetëm një pjesë e vogël e juaja ju pengon të ‘jetoni nën një qeverisje që nuk e meritoni’ por që të keni qeverisjen që meritoni, pra që të mbroni demokracinë, nuk mjafton se secili të angazhohet për të këtë mision por edhe të luftoni që të bëheni shumicë për të realizuar këtë mision!

Disa nga shqetësimet e qytetarëve

Në telefon apo në kutinë postare elektronike qytetarë të shumtë më kanë dërguar me mijëra shqetësime që lidhen me zgjedhjet e 25 prillit 2021, që mund të përmblidhen si më poshtë:

• A ishin zgjedhjet e 25 prillit 2021 në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike? (Raporti i OSBE/ODHIR s’e thotë qartas)

• A ishin zgjedhjet e 25 prillit 2021 ‘të lira e të ndershme’? (Raporti i OSBE/ODHIR s’e thotë qartas)…

• A janë zgjedhjet e 25 prillit 2021 të ‘pranueshme’? Këtë ende s’e ka thënë qartas e gjithë ‘politika’ shqiptare, sepse duket po pret qëndrimet/vendimet zyrtare të KQZ dhe të gjyqësorit… Për të arritur në këtë fazë ‘institucionalisht’ duket se po pritet që opozita të grumbullojë ‘fakte e prova’…

• A ka rrugë opozita për të përputhur vlerësimin dhe qëndrimin e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021 me pritshmërinë e qytetarëve? Sigurisht që ka disa rrugë? Cila është më efikasja? (duket se do të mbetet për tu përcaktuar në ditët në vijim…)…

Përgjigjen më të saktë, qytetarët mund ta gjejnë tek thënia e Çurçillit…

Disa përfundime nga Raporti i OSBE/ODHIR

Sa herë zhvillohen zgjedhjet në vendet me demokraci ‘hibride’ apo të brishtë si Shqipëria, roli i ‘arbitrit’ për të përcaktuar ‘cilësinë’ e zgjedhjeve i atribuohet një Misioni Ndërkombëtar të Vëzhgimit, që praktikisht është një ekip i ngritur dhe drejtuar nga OSBE/ODHIR. Për zgjedhjet e 25 prillit 2021, jepen, ndër të tjera, disa përfundime të Raportit të OSBE/ODHIR. Ato me ‘shqeto’ apo më ‘pikantet’ për cilësinë e procesit zgjedhor jepen në vijim:

• Ndryshimet kushtetuese e zgjedhore të tetorit 2020 s’u paraprinë nga konsultimet e duhura me aktorët;

• Edhe pse një sërë rekomandimesh të ODIHR-it dhe të Këshillit të Evropës u adresuan gjatë reformës zgjedhore, disa rekomandime mbeten ende të paadresuara;

• Rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël;

• Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem;

• Partia qeverisëse mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, duke përfshirë kontrollin e administratës lokale dhe shpërdorimin e burimeve të administratës publike;

• Pavarësisht një kuadri ligjor solid që ndalon shpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizon avantazhin e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare;

• Ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim;

• Kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media;

• Publiciteti që erdhi si rrjedhojë i kësaj i dha partisë qeverisëse një avantazh të konsiderueshëm;

• Mjedisi mediatik është i ngarkuar;

• Pavarësia editoriale ndikohet negativisht nga interesat e pronarëve, gjë që nxit autocensurën;

• Gazetarët vazhdojnë të mbeten vulnerabël ndaj presionit dhe korrupsionit;

• Transmetuesit u frenuan nga bërja e një mbulimi të thelluar dhe analitik të të gjitha subjekteve zgjedhore;

• MNVZ-ja qe dëshmitare e një rasti të shpërndarjes së parave zgjedhësve jashtë një qendre votimi.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button