Analiza

Si dështoi SPAK në goditjen e blerjes së votës/ Dhjetëra kallëzime, asnjë i ndëshkuar

Pavarësisht denoncimeve të bërë nga opozita për krime zgjedhore nga ana e PS, përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet e 25 prillit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj personave te dyshuar.

Autoritetet ligjzbatuese duket se kanë dështuar në parandalimin e tjetërsimit të votës. Partia Demokratike ka depozituar në SPAK 100 kallëzime për krime zgjedhore, disa prej tyre të shoqëruara me video dhe fakte.

Nga SYRI TV

Autoritetet ligjzbatuese kanë dështuar të parandalojnë masakrën zgjedhore të 25 Prillit në Shqipëri. Dhjetëra kallëzime të opozitës dhe qytetarëve të tjerë, të dorëzuara në strukturat e Prokurorisë, përfshirë edhe në SPAK në javët e fushatës zgjedhore, janë trajtuar, në rastin më të mirë, me pasivitet.

Kjo qasje e prokurorisë, e shoqëruar edhe me dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve të Policisë së Shtetit në krime zgjedhore, ndikuan në cënimin e rëndë të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë. Një ndër rastet më flagrante të mos-funksionimit të sistemit hetimor u shënua në Elbasan. Në 14 Mars 2021, gjatë festimeve të Ditës së Verës, disa personazhe të botës së krimit në atë qytet, dhunuan mbështetësit e opozitës, të cilët po protestonin paqësisht kundër kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike në opozitë kallëzoi që atë ditë disa prej këtyre personazheve problematikë. Por, as Policia dhe as prokuroria lokale, nuk vepruan për të penalizuar dhunuesit. Të njëjtët personazhe, të cilët u angazhuan në blerja votash për Partinë Socialiste, u përfshinë më pas në një konflikt të armatosur në qendër të Elbasanit, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë, në prani të dy zëvendësdrejtorëve të Policisë të qytetit, si edhe një dyzinë me punonjës të uniformave blu.

Ndërkohë, në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, janë dorëzuar rreth 100 kallëzime për krime zgjedhore, pasi ndryshimet e fundit të Kodit Penal ia ngarkuan kompetencën hetimore prokurorëve specialë. SPAK, në një njoftim zyrtar pak ditë më parë, njoftoi se ka regjistruar mbi 30 procedime penale dhe po kryen veprimet përkatëse. Por, përveç informacionit statistikor, SPAK nuk ka kryer, deri më tani, asnjë veprim konkret ndaj personave përgjegjës, megjithëse ka në dispozicion informacione të plota, të cilat datojnë para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Por, SPAK u tregua shumë aktiv vetëm në një rast, duke shënuar edhe pikën më skandaloze të veprimtarisë së institucioneve që konsiderohen të pavarura. Në atë që konsiderohet ‘skandali i patronazhistëve’, Prokuroria Speciale nuk kreu asnjë veprim për të zbuluar zyrtarët përgjegjës për rrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve drejt zyrave të Partisë Socialiste.

Prokuroria dhe Gjykata Speciale urdhëruan sekuestrimin e pajisjeve të punës së redaksisë së ‘Lapsi.al’, e cila raportoi e para mbi ‘patronazhistët’, në një tentativë të qartë për të zbuluar se cili është spiuni brenda Partisë Socialiste.

Në një zhvillim tjetër, Partia Demokratike deklaroi se ka kallëzuar në SPAK një skemë për blerje votash në zonën e Pukës, ku personazhe të inkriminuar, në bashkëpunim me kandidatë për deputetë nga Partia Socialiste, blinin vota në këmbim të 100 eurove. Ky kallëzim është dorëzuar në 16 Prill, pra rreth 10 ditë para ditës së zgjedhjeve. Por, nga SPAK-u nuk ka pasur asnjë reagim, ndërkohë që skema e blerjes së votës funksionoi e pashqetësuar nga organet ligjzbatuese.

I dërguar i Partisë Demokratike për zonën e Kombinatit, Belind Këlliçi, ka denoncuar zyrtarisht skemën e blerjes së votave në këmbim të legalizimeve dhe faktet i ka dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale. Nuk ka asnjë veprim deri më tani. Ish-kryeministri Sali Berisha postoi pak ditë më parë një video, në të cilën shfaqej kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, duke shpërndarë hapur leje legalizimi dhe certifikata pronësie për banorët, në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Sërish asnjë veprim.

Raste të ngjashme janë shënuar në thuajse të gjithë qarqet e Shqipërisë, ku makineria elektorale shtetërore u angazhua maksimalisht për të tjetërsuar votën e qytetarëve shqiptarë nëpërmjet joshjes, blerjes dhe kërcënimit. Por, ndërkohë që pritej një reagim i shpejtë dhe efikas i Prokurorisë së pas-Reformës në Drejtësi, situata duket se e gjithë sipërmarrja gjigante kushtetuese dhe ligjore u organizua për t’i dorëzuar në duar gjyqësorin kryetarit të maxhorancës qeverisëse, Edi Ramës.

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button