Politike

Ultimatumi i BE: Hetoni manipulimin e zgjedhjeve

Procesi i 25 prillit dhe parregullsitë që po denoncohen nga opozita kanë vënë në lëvizje të gjithë ndërkombëtarët. Edhe pse formalisht SHBA dhe BE e kanë uruar kreun e qeverisë Edi Rama për mandatin e tretë, pas urimeve ka një fjali standarde që përsëritet nga të gjitha kancelaritë: “Hetoni parregullsitë (krimet) e zgjedhjeve”. Deklarata që janë bërë nga ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë, dje janë thënë në mënyrë të qartë dhe zyrtare nga ana e Komisionerit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Në vizitën e tij disa orëshe në Tiranë për të sjellë vaksinat dhuratë nga BE për Shqipërinë, zyrtari më i lartë i BE për zgjerimin dha mesazhe të forta për 25 prillin. Në krah të Edi Ramës, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Varhelyi u shpreh se BE pret të shoh që të gjitha ankesat për procesin e 25 prillit të trajtohen nga institucionet e drejtësisë. Mesazhi i zyrtarit të BE është jo vetëm për Edi Ramën dhe qeverinë, por dhe për institucione e reja të drejtësisë nga të cilat pritet të dëshmojnë nëse janë vërtetë të pavarura. Shqyrtimi i ankesave për zgjedhje nga drejtësia do të vendosë dhe për fatin e negociatave me Shqipërinë dhe BE. “Ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë që do të shqyrtohen, qoftë edhe blerjen e mundshme të votave, që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore. Pas këtij procesi do të na duhen rezultate përfundimtare. Pa një parlament të plotë, nuk është e mundur që të ecet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.  Pra, ne po presim rezultatet e procesit të ankimimeve, nëse Konferenca e parë Ndërqeveritare do të ndodhë në Qershor”,- deklaroi zyrtari i Bashkimit Europian.

Raporti i parë i OSBE/ODIHR për zgjedhjet është ndër më kritiku që ndërkombëtarët kanë bërë ndonjëherë për proceset elektorale në Shqipëri, përjashtuar vitin 1996. Në dokument flitet për blerje votash, presione ndaj votuesve, keqpërdorim të administratës si dhe për herë të parë thuhet qartë se në Shqipëri nuk dallohet kufiri mes partisë dhe shtetit. Partia Demokratike dhe LSI kanë depozituar në SPAK dhe prokuroritë e rretheve mbi 200 kallzime penale ndaj zyrtarëve të PS, kandidatëve të mazhorancës, ministrave dhe deri kryeministrit Edi Rama për krime zgjedhore. Deri më sot, as SPAK dhe as prokuroritë e rretheve nuk kanë çuar në gjykata dosjet hetimore duke treguar jo vetëm neglizhencë, por dhe duke i dhënë mundësi qeverisë të fshehë një pjesë të masakrës elektorale që ka ndodhur. Thirrja e zyrtarit të BE për hetime të shpejta mbi procesin elektoral tregon se edhe ndërkombëtarët që kanë investuar të reforma në drejtësi po shohin se projekti i tyre, deri tani, nuk ka dhënë rezultatet që pritej. Në mesazhin e ndërkombëtarëve jepet dhe sinjali i pjesëmarrjes së opozitës në Kuvend. Me termi “parlament i plotë” kërkohet nga opozita që të futet në institucione. Por futja në parlament e opozitës, nuk duhet të jetë e vetmja detyrë e saj. Kur vet ndërkombëtarët po pranojnë krimet zgjedhore të qeverisë është detyrë e opozitës jo vetëm ti denoncojë këto krime, por dhe të angazhojë gjithë burimet e saj, përfshirë dhe protestat, për të demaskuar farsën zgjedhore të kësaj mazhorance.

Mili Xhani

Artikuj te ngjajshem

Shkruaj nje koment

Back to top button